Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se përfaqësuesit e kompanisë gjermane Bilfinger janë treguar të painteresuar për rindërtimin e “Kosova A”. Sipas tij, krejt çka kanë ofruar ata kanë qenë 15-20 faqe PowerPoint.
Mustafa ka shkruar në Facebook se kjo është krejt e vërteta rreth kësaj kompanie.
“Kompania gjermane Bilfinger nuk ka ofruar asgjë më shumë sesa 15-20 faqe PowerPoint. Kjo është krejt e vërteta për këtë firmë dhe zhurmën që po bëhet për investimet e saj në rindërtimin e Kosova A e që po vazhdojnë edhe sot në Kuvend”, ka thënë ai.
Megjithatë, Mustafa ka pranuar se në takimin e 30 qershorit të vitit 2015 me kancelaren Angela Merkel kishin biseduar për rindërtimin e “Kosova A”.
“Është e vërtetë se në takimin tim, si Kryeministër me Kancelaren Merkel, më 30 qershor 2015, ndër çështjet e rëndësishme shtroi edhe rindërtimin e Kosova A përmes firmës Bilfinger. Unë shpreha gatishmërinë e plotë ta zhvillojmë këtë projekt. Me angazhimin e Kancelares, të njëjtën ditë, në orët e mbrëmjes, kemi organizuar takim me përfaqësuesit e Bilfinger në Berlin. Kemi kërkuar ta konkretizojnë propozimin e tyre, koston e investimit, kapacitetin dhe burimet e financimit. Përfaqësuesit e Belfinger u zotuan se do të na informojnë brenda 15 ditëve, por nuk na kanë informuar asnjëherë edhe përkundër insistimit të vazhdueshëm të kabinetit tim”, tha Mustafa.
Ish-kryeministri Mustafa ka thënë se duke pasur parasysh lidhjet ekonomike me Gjermaninë dhe teknologjinë gjermane në gjenerimin e energjisë elektrike në Kosovë, si qeveri kanë qenë të interesuar që projektin ta realizojnë së bashku me ta, porse sipas tij, kompania Bilfinger është treguar krejtësisht e painteresuar.
“Krahas kësaj ne kemi vazhduar me Kosovën e Re”, ka përfunduar ai.