UBT News

Muslija mohon zërat për bojkot: “Fanella e Kosovës është krenaria ime më e madhe”

Florent Muslija ka reaguar pas raportimeve se ai mund të ishte një nga futbollistët që do t’i bashkoheshin një bojkoti të mundshëm të Kombëtares së Kosovës, pas vendimit të kapitenit Amir Rrahmani për të mos luajtur më për “Dardanët”.

Rrahmani ditë më parë njoftoi se nuk do të jetë më pjesë e Përfaqësueses së Kosovës, duke shprehur pakënaqësi ndaj drejtuesve të Federatës së Futbollit të Kosovës. Pas këtij zhvillimi, u raportua se edhe disa futbollistë të tjerë, të udhëhequr nga Edon Zhegrova, mund të merrnin një vendim të ngjashëm.

Në mesin e emrave të përmendur ishte edhe mesfushori Florent Muslija, së bashku me Arijanet Muricin, Vedat Muriqin dhe Milot Rashicën.

Megjithatë, Muslija, i cili aktualisht është i dëmtuar, i ka mohuar kategorikisht këto raportime. Futbollisti i Freiburgut ka bërë të qartë se, po të ishte i gatshëm fizikisht, do t’i bashkohej me kënaqësi Kosovës për ndeshjet e shtatorit.

“Faleminderit që më kontaktuat. Më vjen keq që emri im është përfolur për bojkot ose diçka të tillë. Unë jam i lënduar, fatkeqësisht, por sikur të isha shëndoshë e mirë, si gjithmonë me kënaqësi do të vija të luaja për vendin tim. Këto janë shpifje”, ka thënë Muslija për “Gazetën Olle”.

28-vjeçari ka theksuar se për të nuk ekziston asnjë dilemë sa i përket përfaqësimit të Kosovës, duke e cilësuar fanellën e Kombëtares si simbolin e krenarisë së tij.

“Unë vij të luaj për vendin tim, për Kosovën. Nuk vij të luaj për asnjë person tjetër. Të vesh fanellën e Kombëtares është krenaria ime më e madhe”, ka deklaruar ai.

Muslija ka bërë gjithashtu thirrje për unitet para ndeshjeve të rëndësishme që e presin Kosovën, duke kërkuar që emri i tij të mos përfshihet në raportime që, sipas tij, mund të shkaktojnë përçarje brenda Kombëtares.

“Shpresoj që emri im të mos përdoret kurrë për lajme të tilla përçarëse. Kosova ka nevojë të jetë e bashkuar, sepse na presin ndeshje shumë të rëndësishme”, ka përfunduar Muslija.

D.L

Exit mobile version