Vedat Muriqi ka folur pas fitores së Fenerbahçes ndaj Shakhtar Donetskut, ku sulmuesi kosovar ishte vendimtar, duke shënuar golin që i siguroi skuadrës turke tri pikë të rëndësishme.
Pas përfundimit të ndeshjes, Muriqi nuk e fshehu kënaqësinë për suksesin e arritur, duke theksuar rëndësinë e kësaj fitoreje në garën për të avancuar në fazën tjetër të Ligës së Kampionëve.
“Jam shumë i lumtur. Arritëm një fitore vërtet të vlefshme. Kjo ndeshje ishte jetike për të kaluar në raundin tjetër të Ligës së Kampionëve. Morëm tri pikë vendimtare”, u shpreh sulmuesi kosovar.
Muriqi pati fjalë të veçanta edhe për tifozët, të cilët krijuan një atmosferë fantastike në stadium, duke e bërë skuadrën të ndihej sikur po luante në shtëpi.
“Sot kishte një turmë të mrekullueshme. Na u duk sikur po luanim në Kadıköy. I falënderoj sinqerisht të gjithë”, deklaroi ai.
Sulmuesi foli edhe për raportin me trajnerin Emre Belözoğlu dhe reagimin e këtij të fundit pas barazimit zhgënjyes ndaj Kocaelisporit. Muriqi zbuloi edhe mesazhin që trajneri ua kishte përcjellë futbollistëve pas atij takimi.
“Patëm një barazim të pafat kundër Kocaelisporit. Nuk e nisëm mirë ndeshjen, por më pas u rikuperuam, ndërsa pësuam dy gola nga goditjet standarde. Pas ndeshjes, trajneri Emre na tha: ‘Mbani kokën lart, do të përmirësohemi’”, tregoi Muriqi.
Në fund, ai nënvizoi se skuadrës i duhet kohë dhe vazhdimësi në punë për të arritur nivelin e dëshiruar, duke shprehur besimin për përmirësim në ndeshjet e ardhshme.
“Ne punuam me trajnerin Emre për një kohë të shkurtër. Do të përmirësohemi dhe do të vazhdojmë të punojmë”, përfundoi sulmuesi kosovar.
Me golin vendimtar ndaj Shakhtar Donetskut, Vedat Muriqi u bë protagonisti kryesor i Fenerbahçes, duke i dhuruar skuadrës një fitore me peshë në objektivin për të siguruar kalimin në fazën tjetër të Ligës së Kampionëve.
D.L
