UBT News

Muriqi në kulmin e karrierës – rekord, gola dhe dominim në La Liga

Sulmuesi kosovar Vedat Muriqi po kalon një nga periudhat më të mira të karrierës së tij, duke shkëlqyer në La Liga me fanellën e Mallorca.

Në ndeshjen e fundit ndaj Rayo Vallecano, Muriqi realizoi dy gola, duke qenë vendimtar për ekipin e tij. Me këtë performancë, ai është renditur si golashënuesi i dytë më i mirë në kampionat, menjëherë pas Kylian Mbappé.

Forma e tij këtë sezon është mbresëlënëse, me gjithsej 21 gola të shënuar dhe një asist, duke e bërë një nga sulmuesit më të rrezikshëm në elitën e futbollit spanjoll.

Përveç këtij suksesi sezonal, Muriqi ka hyrë edhe në historinë e klubit, duke u bërë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave për Mallorcan me 55 gola, duke lënë pas edhe emra të mëdhenj si Samuel Eto’o.

Pas këtij momenti historik, Muriqi reagoi përmes një postimi emocional.

“Çdo gol është pjesë e detyrimit tim ndaj kësaj fanele; të bësh histori është diçka e veçantë, por ka ende shumë për të arritur — të tejkalosh një emër të madh si Samuel Eto’o është nder, por rekordet nuk arrihen kurrë vetëm, prandaj falënderoj bashkëlojtarët e mi dhe të gjithë ata që besojnë në mua. Faleminderit familjes sime, bashkëlojtarëve, stafit, të gjithë punëtorëve të klubit dhe gjithë ishullit; pa ju do të ishte e pamundur!!!”

Ky sezon po e konfirmon edhe një herë Vedat Muriqi si lider të padiskutueshëm te Mallorca, ndërsa pritjet mbeten të mëdha për arritjet e tij të radhës deri në fund të sezonit.

Exit mobile version