Sulmuesi kosovar ia ka mbyllur dyert Galatasarayt, i cili synonte ta transferonte atë këtë muaj.
Vedat Muriqi do të qëndrojë përfundimisht në Lazio, së paku deri në verë, shkruan Gazeta Express.
Sulmuesi kosovar është bërë së fundmi objektiv i Galatasarayt, i cili synonte ta transferojë qysh në janar. Mirëpo, gjiganti turk ka marrë përgjigje negative nga futbollisti prizrenas.
Madje, përfaqësuesi kosovar është takuar sot me menaxherin e Galatasarayt, Hakan Balta, të cilit ia ka shprehur dëshirën për të qëndruar në Lazio.
“Dua të rri në Itali”, ka thënë 26 vjeçari.
Eksperienca e Muriqit në Lazio nuk ishte prej më të mirave deri tash. Ai nuk e ka gjetur ende golin në ndeshje zyrtare me “Biancocelesti” prej se u transferua nga Fenerbahçe verën e kaluar.
Ish-futbollisti i Rizesporit i realizoi tre gola në miqësoren e djeshme kundër të rinjve të Lazios. Tash, ai është i vendosur t’i tregojë vlerat e tij edhe në ndeshje zyrtare./UBTNews