UBT News

Muriqi dhe Rashica pritet të grumbullohen në ndeshjen ndaj Maqedonisë së Veriut, e konfirmon Muharrem Sahiti

Maqedonia e Veriut si duket nuk do ta ketë të lehtë duelin me Kosovën, që zhvillohet më 8 tetor, ndeshje e vlefshme për kualifikim në kampionatin Evropian, në kuadër të Ligës së Kombeve. Kombëtarja e Kosovës pritet të llogarisë edhe në shërbimet e dy yjeve të Kosovës, Vedat Muriqit dhe Milot Rashicës.

Ndihmës-trajneri te Kombëtarja e Kosovës, Muharrem Sahiti, ka thënë se dy yjet e Kosovës pritet të jenë pjesë e grumbullimit, në ndeshjen më të rëndësishmë që kombëtarja e Kosovës e ka zhvilluar ndonjëherë.

Në një prononcim për gazetën “Zëri”, Sahiti ka thënë se gjasat që ata të jenë pjesë e skuadrës janë të mëdha, duke shtuar se besojnë edhe te Milot Rashica, përkundër gjendjes së tij me lëndimin e pësuar.

“Gjasat që ata të jenë pjesë e ekipit janë shumë të mëdha. Vedati do të ftohet në ekip, sigurisht nëse gjërat nuk ndryshojnë deri me 5 tetor. Miloti pas lëndimit me Moldavinë ka pasur stërvitje me pak, pra kishte kufizime. Mbetet të shihet nëse do të jetë në gjendje qindpërqind por edhe tek ai besojmë. Pra nëse nuk ndryshojnë gjërat këtë javë ai do të jetë pjesë e jona”, ka thënë Muharrem Sahiti, duke besuar se secili lojtar që do të ftohet do të jap maksimumin në këtë takim.

Sipas Sahitit, fitorja është e vetmja alternativë dhe se lojtarët do të japin gjithçka nga vetja për të realizuar ëndrrën për kualifikim në kampionat Evropian.

“Ne atje shkojmë për fitore dhe nuk ka alternativë tjetër. Me ata lojtarë që kemi në dispozicion me ata shkojmë për të dhënë gjithçka për ta realizuar këtë ëndrrën të madhe që po e përjetojmë. Ne tash nuk do t’i vajtojmë lojtarët që nuk do t’i kemi. Me ata që do t’i kemi shkojmë me të gjitha forcat, sigurisht aq më mirë do të ishte nëse jemi të kompletuar pasi gjasat atëherë do të jenë shumë më të mëdha për kualifikim”, ka shtuar Sahiti, në prononcimin dhënë gazetës “Zëri”.

Skuadra e Kosovës, kishte hasur në probleme në grumbullimin e lojtarëve, shkaku i pandemisë, ku në ndeshjen e dytë, që e zhvilloi në “Fadil Vokrri”, kishte mungesa të lojtarëve kyç.

Exit mobile version