UBT News

Muriq në qendër të kritikave pas humbjes së Sassuolos

Portieri i Përfaqësueses së Kosovës, Arijanet Muriq, është vënë në qendër të kritikave pas humbjes së Sassuolos me rezultat 4:2 ndaj Frosinones.

Paraqitja e portierit 27-vjeçar ka nxitur reagime në mediat italiane, të cilat kanë kritikuar edhe trajnerin Alberto Aquilani për vendimin që ta mbajë Muriqin titullar, pavarësisht gabimeve në ndeshjet e mëparshme.

Mediumi lokal “SassuoloNews” e ka cilësuar besimin e vazhdueshëm të trajnerit te portieri kosovar si një nga vendimet e gabuara, duke theksuar se gabimet e tij ndikuan drejtpërdrejt në rezultatin e ndeshjes.

Muriq pati një mbrëmje të vështirë, duke u përfshirë në disa nga aksionet që përfunduan me gola për kundërshtarët. Sulmuesi Antonio Raimondo përfitoi nga gabimet në mbrojtje dhe realizoi tre gola.

Pavarësisht kritikave, trajneri Aquilani i doli në mbrojtje portierit kosovar, duke deklaruar se vazhdon të ketë besim të plotë tek ai dhe se një gabim nuk është arsye e mjaftueshme për ta larguar nga formacioni titullar.

Muriq është përballur me kritika edhe gjatë karrierës së tij në klube të ndryshme evropiane. Megjithatë, ai vazhdon të mbetet zgjedhja kryesore në portën e Përfaqësueses së Kosovës, ku krahas gabimeve ka regjistruar edhe paraqitje të rëndësishme.

D.L

Exit mobile version