Portieri i Kosovës, Arijanet Muric, vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes te Sassuolo, me klubin italian që po e përcjell me shqetësim gjendjen e tij fizike dhe rikthimin në dispozicion.
Muric u dëmtua në minutën e 65-të të ndeshjes mes Kosovës dhe Austrisë, të cilën Dardanët e humbën me rezultat 3-1. Që nga atëherë, gjendja e tij është monitoruar vazhdimisht nga stafi mjekësor i Kosovës.
Sipas “SassuoloNews”, portieri kosovar ende nuk është rikuperuar plotësisht, megjithëse nuk përjashtohet mundësia që ai të jetë i gatshëm për ndeshjet e ardhshme.
Për gjendjen e Muricit kishte folur edhe përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, para ndeshjes ndaj Izraelit.
“Ai pësoi një goditje në ndeshjen kundër Austrisë. Nuk mendoj se do të jetë në gjendje të luajë kundër Izraelit, por do të shohim se si është për momentin”, kishte deklaruar Foda.
Muric më pas nuk ishte në formacion për përballjen ndaj Izraelit, ndërsa tani vëmendja është kthyer te rikthimi i tij në kampionat.
Sassuolo do të përballet me Milanin të dielën, më 11 tetor, në një ndeshje që nis nga ora 18:00. Megjithatë, Muric aktualisht mbetet në dyshim për këtë sfidë.
Trajneri Alberto Aquilani po e përcjell nga afër situatën dhe, nëse portieri kosovar nuk arrin të rikuperohet në kohë, në portë pritet të aktivizohet Turati.
Për Sassuolon, rikthimi i Muricit do të ishte i rëndësishëm para një përballjeje të vështirë ndaj Milanit. Ditët në vijim pritet të sjellin më shumë qartësi për gjendjen e portierit të Kosovës dhe mundësinë e aktivizimit të tij.
D.L
