Konstituimi i Kuvendit të Kosovës ka ngecur te votimi i kandidatit të Listës Serbe për nënkryetar.
Ky subjekt politik ka insistuar në emrin e Sllavko Simiqit, që nuk i mori votat e nevojshme.
As, deputeti serb Nenad Rashiq nga partia “Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë” i cili u vetpropozua për nënkryetar nga komuniteti serb nuk mori votat e mjaftueshme.
Megjithatë, deputeti i Vetëvendosjes, Hekuran Murati kërkoi nga PDK dhe LDK-ja ta mbështesin deputetin Rashiq për nënkryetar të Kuvendit, pasi që sipas tij, në këtë mënyrë përjashtohet Lista Serbe nga Kryesia e Kuvendit.
Deputeti Murati thotë se nëse vazhdon qëndrimi i njëjtë i PDK-së dhe LDK-së, rasti mund të humbet në Gjykatën Kushtetuese dhe kështu të dështoi konstituimi i Kuvendit të Kosovës
“Grupi Parlamentar i LDK-së refuzoi të merret pjesë në votim, përkundër që aktgjykimi i Gjyaktës Kushtetuese e thekson që deputetët janë të deyruar të marrin pjesë në votim. Ndërkaq, në anën tjetër kishim edhe deputetët e PDK-së, të cilët abstenuan. Unë shpresoj që përgjatë këtyre 48 orëve në vijim do të ketë një reflektim dhe PDK, LDK, AAK dhe Nisma të cilat nuk ishin fare prezent sot në sallë të kthehen në seancën e pasnesërme dhe të votojnë për kandidatin Nenad Rashiq, në mënyrë që të përmbyllet konstituimi i Kuvendi. Ndërkaq, nëse e kemi rastin të sigurohen edhe katër pesë vota tjera nga partitë shqiptare për të votuar për deputetin Nenad Rashiq për nënkryetar, atëherë konstitohet Kuvendi dhe arrihet që Lista Serbe të mos jetë në Kryesinë e Kuvendit”, theksoi ai.
Murati tha se të gjithë kandidatët nga Lista Serbe janë të papranushëm për subjektin politik Vetëvendosje, pasi që sipas tij, janë të implikuar në sulmin terrorist në Banjsë.
Seanca konstituive është ndërprerë për të vazhduar të enjten prej orës 11:00.