Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka marrë pjesë në Forumin për Qëndrueshmëri dhe Barazi Ekonomike të organizuar nga Fondi i OPEC-ut për Zhvillim, në të cilin u diskutua mbi rëndësinë e politikave të mirëfillta publike në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe tranzicionin e gjelbër.
Gjatë fjalës së tij, ministri Murati u shpreh se Qeveria e Kosovës ka një bashkëpunim të ngushtë me institucionet zhvillimore në fushën e tranzicionit të gjelbër, duke theksuar marrëveshjet për energji efiçiente, energji solare, të erës e bateri akumulative si disa nga shembujt e projekteve në këtë fushë.
Sa i përket zhvillimit të qëndrueshëm, ministri Murati theksoi se Qeveria e Kosovës po prioritizion prodhimin vendor si instrument kyç në zhvillimin ekonomik, posaçërisht në periudhën pas-pandemike ku Kosova po ndërlidhet në zinxhirin e eksportit, si me vendet fqinje ashtu edhe me vendet më të largëta.
Me këtë rast, Murati ftoi Fondin e OPEC-ut për Zhvillimin dhe investitorët e tjerë ndërkombëtar që të intensifikojnë tutje bashkëpunimin me Republikën e Kosovës në projekte që synojnë ngritjen e mirëqenies së përgjithshme qytetare në vend.
Ky forum ka mbledhur liderë qeveritarë, ministra nga vendet anëtare dhe partnere të Fondit OPEC, krerë të institucioneve të Grupit Koordinues Arab, zyrtarë të lartë të bankave zhvillimore dhe organizatave ndërkombëtare, si dhe përfaqësues të sektorit privat.