UBT News

Murati thotë se ligji i ri për tatimin në pronë në fazat finale, parashihet tatim progresiv

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati gjatë konferencës së sotme potencoi se ligji obligon dy palë për vlerësimin e pronave rezidenciale dhe shkallët tatimore.

“Për vlerësim obligohet ministria e Financave, departamenti i tatimit në pronë më saktësisht, që të bëhet vlerësimi me automatizëm pra, është kusht ligjor që çdo ri apo pesë vite të bëhet vlerësimi i ri e që me udhëzimin e ri administrativ të nënshkruar, në vitin kur ka hyrë në fuqi, pra në vitin 2018 kur ministër ka qenë Bedri Hamza, me këtë udhëzim është përcaktu që rivlerësimi për pronat rezidenciale pra të bëhet çdo tri vite pas vlerësimit fillestar. Edhe kjo ka qenë e paracaktuar më herët që të ndodhë dhe është obligim ligjor pra që vlerësimi të bëhet me çmime të tregut. Kurse, kushti i dytë, pra ka të bëjë me shkallët tatimore, që obligon palën tjetër, që në këtë rats janë komunat që përcaktojnë shkallët tatimore, sipas nenit 9. Neni 9 i ligjit thotë që shkallët tatimore përcaktohen për llojet e pronave dhe ka një interval prej 0.15 për qind deri në 1 për qind që komunat mund ta caktojnë për të rritur apo për të ulur tatimin në pronë që pagujnë qytetarët e komunave përkatëse”, u shpreh ai.

Murati theksoi se lidhur me çmimet e tatimit në pronë se ka pasur vërejtje nga tri komuna, që janë adresuar, mirëpo tha se komunat tjerat nuk kanë reaguar. Madje sipas tij, disa edhe e kanë mirëpritur vlerësimin e ri. Ai u shpreh se komunat raportin e vlerësimit e kanë pranuar nga 31 tetori, për të cilat nënvizoi se kanë pasur afat një muaj që të reagojnë.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve tha se për çështjen e tatimit në pronë kanë ndërmarrë qysh më herët hapat e nevojshëm, sepse siç deklaroi, kanë paraparë ndryshim të ligjit.

“Ne kemi fillu hartimin e një ligji të ri shumë kohë më herët, tanimë është në fazat finale të hartimit ligji i ri dhe aty parashihet që të adresohen një sërë prej problemeve apo çështjeve që i kemi pasë se mund të jenë problematike. Në këtë ligj ideja është që të ketë një tatim progresiv për shkak se edhe për shkak që kanë interval komunat aktualisht, tatimi është i sheshtë, domethënë si për atë që i ka 100 mijë euro prona, si për atë që i ka 50 mijë, si për atë që i ka 5 milion euro prona, komuna e cakton apo mund ta caktojë një normë tatimore të sheshtë e që kjo duhet të ndryshojë. Fillimisht duhet të rritet pra lirimi nga tatimi për pronën primare apo banimin primar rezidencial, aktualisht me ligj është 15 mijë euro, ideja është që të rritet kjo hapësirë”, u shpreh ndër të tjera ai, duke shtuar se çështja tjetër që parashihet është përfshirja e gjithë pronave.

Murati nënvizoi se synimi i ministrisë që ai udhëheq dhe i qeverisë është që çdoherë që të ndihmohen qytetarët.

Ai potencoi se nëse e kanë interesin e qytetarëve edhe disa prej komunave dhe prej partive opozitare, tha se do ta kenë mundësinë që ligjin që do ta dërgojnë në Kuvend, ta miratojnë dispozitën kalimtare, që siç shtoi, për vitin aktual do të mundësonte një ketë lehtësim të barrës për shumicën e qytetarëve.

Ndryshe, ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, të marten ka reaguar lidhur me çmimin e rritjes së tatimit në pronë. MF ka potencuar se tatimi në pronë është tatim, i cili mblidhet nga komunat dhe përbën njërin nga burimet kryesore të të hyrave vetanake për komunat.

Për shtrenjtimin e tatimit në pronë, ditëve të fundit ka pasur kritika nga deputetë të opozitës dhe qytetarë.

Exit mobile version