Trajneri i Kombëtares së Zvicrës, Murat Yakin, ka komentuar në konferencën për shtyp pas publikimit të listës së futbollistëve të ftuar për ndeshjen kualifikuese ndaj Kosovës, që zhvillohet më 5 shtator në St. Jakob-Park të Baselit.
Zvicra do të përballet me Kosovën në kuadër të Grupit B të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026. Yakin ka grumbulluar 23 futbollistë për këtë takim, ndër ta edhe dy lojtarë me prejardhje shqiptare.
Në konferencë, trajneri u pyet për zgjedhjen e Leon Avdullahut që të përfaqësojë Kosovën, si dhe për mungesën e Albian Hajdarit në listën zvicerane. Për Avdullahun, Yakin tha se ka pasur një bisedë të gjatë me të dhe i ka shpjeguar perspektivat sportive, por sipas tij, futbollisti nuk ka zgjedhur rrugën sportive që pritej.
“Avdullahu? Pata një bisedë të gjatë me të në pranverë dhe i shpjegova perspektivat sportive. Siç e shoh unë, ai nuk e zgjodhi rrugën sportive. Nëse dikush mendon ndryshe për kulturën, ne nuk mund ta ndikojmë këtë,” tha Yakin, duke mohuar se Federata e Zvicrës nuk i kishte dhënë mjaftueshëm përpjekje lojtarit.
Në lidhje me Albian Hajdarin, trajneri shtoi se për të ka një plan, i cili do të konkretizohet pas ndeshjeve të shtatorit. Ai gjithashtu u shpreh i shqetësuar për mundësinë e largimit të mbrojtësit të Hoffenheimit.