Paraprakisht, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujveci tha se kryeministri dhe disa ministra nuk janë të pranishëm për shkak të agjendës.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu tha se është e pakuptimtë të qëndrojë në këtë seancë plenare, meqë ministrat nuk janë të pranishëm.
“E kam bërë një pyetje për ministrin Xhelal Sveçla me datën 5 qershor 2023. Sot jemi në dhjetor, 1 dhjetor dhe ai nuk vjen të përgjigjet. Vet fakti që unë kam pyetje parlamentare sot për Liburn Aliun dhe për Xhelal Sveçlën dhe as sot nuk janë këtu, nuk e di pse janë vlen ne të rrijmë këtu në këtë seancë më. Ose koordinohuni me kabinetin qeveritar, që ata të vijnë ta kryejnë obligimin ndaj kuvendit dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës, ose mos i thirrni këto seanca koti. Kjo është një seancë hajgare, kjo është një seancë e cila edhe një herë përfundimisht e degradon Kuvendin e Republikës së Kosovës. Jemi bërë qesharak, asgjë nuk ka mbetur më në këtë kuvend”, deklaroi ajo.
Më pas reagoi deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, i cili tha se është seancë e veçantë me pyetje parlamentare.
“Deputetët sot të cilët kanë dërguar pyetje për ministrat janë këtu, nuk kërkohet kuorum. Prandaj secili t’i parashtron pyetjet për ministrat që janë. Në anën tjetër, zonja Musliu duhet ta kuptojë një gjë. Grupi i tyre parlamentar ka muaj të tërë që nuk marrin pjesë në asnjë votim. Nëse dikush i ka kontribuar degradimit në Kuvend të Kosovës janë këta, duke mos marrë pjesë në asnjë votim…Prandaj le t’i parashtrojnë pyetjet për këta ministra që janë dhe le të ecim tutje”, u shpreh ai.
Edhe Musliu kërkoi të replikojë, megjithatë nënkryetarja Saranda Bogujevci tha se nuk lejohet një gjë e tillë.
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj u shpreh se është pa përgjegjësi e kabinetit qeveritar, meqë nuk po marrin pjesë në këtë seancë plenare.
“Kjo seancë është caktuar prej qeverisë edhe sot kanë marrë zotim, është një seancë e veçantë që është caktuar nga kryesia e kuvendit që sot të parashtrohen pyetjet parlamentare. Nëse është marrë një vendim që të parashtrohen sot dhe të jetë dita e pyetjeve parlamentare, sot në këtë foltoren këtu para është dashur me qenë të gjithë ministrat, të cilët nga deputetët ju kanë parashtruar pyetjet. Nuk po i kuptoj këta të Vetëvendosjes, ne nëse kishim dashur të bëjmë pyetje parlamentare me deputetë dhe me u përgjigj deputetët s’kemi pasur nevojë të thërrasim një seancë të tillë fare”, përfundoi ajo.
Edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj e quajti të papërgjegjshme qeverinë.
“Është obligimi i juaj si udhëheqëse e kësaj seance së pari të siguroni kushtet për mbarëvajtjen, fillimin e një seance kuvendore. Pa marrë parasysh a janë në pyetje parlamentare, është një rend i ditës i cili duhet të plotësojë kushtet sipas rregullores së punës së kuvendit dhe Kushtetutës së Kosovës. E dyta, është tepër e papërgjegjshme dhe shumë e keqe për demokracinë nëse tentohet që instrumenti i mbikëqyrjes, siç janë pyetjet parlamentare, të ketë edhe minimumin e asaj që quhet relativizim ose njëfarë mënyre e injorimit të deputetëve”, u shpreh ai.