Pas 100 ndeshjesh, Thomas Tuchel dhe Chelsea tani kanë ndarë rrugët.
Grupi i ri i pronarëve të “Bluve” vendosi ta shkarkojë Tuchelin pas humbjes së mbrëmshme në Ligën e Kampionëve ndaj Dinamo Zagrebit dhe tani kanë mbetur pa trajner për ndeshjen e radhës kundër Fulhamit këtë fundjavë.
Pronarët e rinj shpresojnë të caktojnë një trajner me shpejtësi, por nuk duket të ketë një emërim të menjëhershëm gati.
Në komunikatën për media Chelsea shkruante:
“Klubi i futbollit Chelsea ka ndarë rrugët sot me trajnerin Thomas Tuchel. Në emër të gjithëve te Chelsea, klubi dëshiron të tregoj falënderimet drejt Thomas dhe stafit të tij për të gjitha përpjekjet gjatë kohës së tyre me klubin.
Thomas do ta ketë vendin e tij të merituar në historinë e Chelseat pas triumfit në Ligën e Kampionëve, Super Kupën e Evropës dhe Kupën e Botës për klube
Stafi stërvitor i Chelseat do të marrë përgjegjësinë për skuadrën për stërvitjen dhe përgatitjen e ndeshjeve tona të ardhshme, ndërsa klubi lëviz me shpejtësi për të emëruar një trajner të ri”.
Duket se Anthony Barry, i cili kombinon rolin e tij në stafin stërvitor të Chelseat me atë në kombëtaren belge, pritet të jetë figura për të udhëhequr stafin stërvitor përpara se të emërohet një trajner i ri.