UBT News

Mungesa e deputetëve pas pauzës shtyn seancën e Kuvendit për nesër

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë vendim që ta shtyjë vazhdimin e seancës së sotme plenare për ditën e nesërme, në orën 11:00, pasi deputetët u vonuan rreth gjysmë ore për t’u kthyer në sallë pas pauzës.

Duke arsyetuar vendimin, kryeparlamentarja Haxhiu theksoi se është e pamundur të zhvillohen punimet e Kuvendit kur deputetët nuk respektojnë orarin. Në momentin e ndërprerjes, në sallën plenare ndodheshin vetëm disa deputetë të PDK-së, disa të LDK-së dhe vetëm dy deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Për shkak të kësaj shtyrjeje, mbetën pa u shqyrtuar pikat e mbetura të rendit të ditës, ku përfshiheshin katër marrëveshje ndërkombëtare, interpelanca me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, mocioni lidhur me energjinë, si dhe diskutimi për Projektligjin për Gjykatën Speciale. /E.A/

Exit mobile version