Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se vendimi për subvencionim të teksteve shkollore ka për qëllim shmangien nga keqmenaxhimi. Deputetë të kësaj partie i janë përgjigjur kritikave të opozitës, ku thanë se të njëjtit vet kishin themeluar Komisionin Hetimor por e sabotuan pasi nuk ka pasur gjetje.
Deputeti i partisë në pushtet, Armend Muja deklaroi se PDK ka gënjyer të enjten, kur ka thënë se do të shpenzohen 20 milionë euro për subvencionim të teksteve shkollore.
“Zyrtarisht nga thesari në vitin 2023, këto janë shifra të qasshme, janë shpenzuar 5.7 milionë euro për tekste shkollore, që krahas vitit 2017 është më e ulëta që është shpenzuar ndonjëherë në Republikën e Kosovës. Edhe në lidhje me procesin e këtij viti, dje Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, gënjeu në mënyrë të hapur publikun se do të shpenzohen 20 milionë euro. Nuk është e vërtetë që do të shpenzohen 20 milionë euro për tekste shkollore, në fakt dallimi mes vitit 2023 dhe 2024 do të jetë që në vitin 2023 janë vetëm tekstet për shkollim fillor, kurse këtë vit do të jetë edhe për shkollimin fillor edhe për shkollimin e mesëm të ulët, pra do të ketë diku 212 mijë nxënës që do të përfitojnë dhe kjo shifër, siç parashihet në planifikimin fillestar është 13 milionë euro, janë alokuar që të mbulohen të gjitha nevojat për tekste shkollore. Përpos kësaj shifre, në dy vite radhazi MAShT është duke alokuar edhe një shifër shtesë, një linjë të veçantë buxhetore që quhet linja materialet mësimore, çanta, lapsa, fletore”, tha ai.
Ai i ka reaguar opozitës edhe për deklarimet se do të maltretohen prindërit e fëmijët në librari.
“Sipas Grupit Parlamentar të PDK-së e LDK-së, fakti që prindërit do të subvencionohen dhe do të jenë para librarive me fëmijët e tyre, kjo quhet maltretim. Kjo mbase mund të jetë stil i jetesës për PDK-në dhe LDK-në. Të qenurit me fëmijët pranë librarive, jo vetëm që është metodologjikisht dhe konceptualisht, por edhe me spektre tjera të zhvillimit psiko-social është e domosdoshme në bazë të të gjitha studimeve mbi arsimin, angazhimi i prindërve në mënyrë të vazhdueshme është obligim por edhe rekomandim për arritshmërinë e nxënësve”, tha ai.
Nga viti 2008 deri në vitin 2021, siç shtoi Muja, është bërë korrupsion masiv në shpërndarjen e librave. Ai i bëri thirrje Prokurorisë Speciale që të hetojë këtë periudhë.
Edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Fejza tha se ky vendim ka për qëllim të ruaj buxhetin e shtetit.
“Arsyeja pse qeveria ka ndërmarrë një veprim të tillë qëndrojnë në faktin se ndër vite procesi i furnizimit me tekste shkollore është përcjell me probleme dhe vështirësi. Gjetje këto jo vetëm të auditorit, jo vetëm të adresuara publikisht por tashmë gjetje edhe të Komisionit Hetimor për tekste shkollore. Keqplanifikim, vonim i furnizimit, abuzim me çmime të larta, stoqe të grumbulluara me libra nëpër podrume të shkollave janë vetëm disa nga problemet të cilat e kanë përcjell këtë proces. Prandaj ky vendim ka ardhur si rezultat i nevojës për të shmangur keqmenaxhimin dhe mungesën e planifikimit. Ne jemi plotësisht të bindur që procesi këtë vit është edhe më i lehtë dhe praktik sepse prindërit veç i kanë të hapura llogaritë dhe aplikimi nuk zgjat më shumë se 10 minuta”, tha ajo.
Sipas saj, librat nuk po shërbejnë për të bërë biznes si në të kaluarën por nxënësit do të pajisen me tekste të reja.
“Fatkeqësisht ky vendim u atakua menjëherë dhe fuqishëm nga partitë opozitare të cilat edhe pse kanë informata të bollshme se si procesi ka shkuar në vitet e kaluara, preferojnë modelin e vjetër të pajisjes. Opozita nuk la gjë pa thënë për këtë proces, madje themeloj edhe komisionin hetimor për të cilin kur e pa se nuk ka asnjë gjetje filloj ta sabotonte vet. Po ashtu, ju keni qenë dëshmitarë dhe e dini se ata nuk kanë marrë pjesë në intervista të dëshmitarëve në Komisionin Hetimor. Ata po thonë se ky është një proces i vonuar dhe prindërit nuk i kanë informacionet e duhura, ndërkohë që harrojnë se tashmë prindërit e kanë këtë përvojë dhe për më tepër më lejoni që të ju ndajë me ju një gjetje të komisionit hetimor se sa herë ka pasur komunikim të duhur midis DKA-ve dhe shkollave e pastaj kur drejtoritë komunale e kanë përcjellë atë informim tek Ministria e Arsimit, problemet janë eliminuar brenda ditës”, deklaroi ajo.
Fejza theksoi se DKA-të nuk kanë dërguar asnjë shkresë zyrtare në MAShT për problemet që kanë pasur në këtë proces./UBTNews/