Në zonën industriale të Suharekës sot do të mbahet ceremonia e vënies së gurthemelit për ndërtimin e stadiumit të ri të qytetit.
Ky projekt madhor, i cili do të ndërtohet sipas standardeve më të larta të UEFA-s, do të ketë kapacitet prej 6,518 ulësesh dhe infrastrukturë moderne.
Investimi po realizohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ndërsa hapësira është siguruar nga Komuna e Suharekës.
Kryetari i Komunës, Bali Muharremaj, u shpreh mirënjohës për Ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku, për bashkëpunimin dhe angazhimin e treguar në këtë projekt, duke theksuar se vetëm me bashkëpunim të ngushtë mes qeverisë dhe komunës mund të sjellin zhvillim për qytetarët.
“Projekt i cili do të ndërtohet sipas standardeve më të larta të UEFA-s, me kapacitet prej 6,518 ulësesh dhe infrastrukturë moderne, është investim i Ministrisë së Kulturës. Hapsirën e kemi siguruar ne si Komunë e Suharekës.”, ka shkruar Muharremaj në Facebook.
Stadiumi i ri pritet të bëhet një qendër e rëndësishme sportive për Suharekën dhe mbarë Kosovën.
/S.K/KP/