UBT News

Muçi i lumtur me fitoren ndaj Beshiktashit: Kemi një ekip që mund të arrijë suksese të mëdha

Sulmuesi shqiptar Ernest Muçi është shprehur i kënaqur me fitoren e Trabzonsporit ndaj Beshiktashit, duke vlerësuar rëndësinë e tri pikëve dhe potencialin e skuadrës për këtë sezon.

Trabzonspori triumfoi të hënën mbrëma me rezultatin 2:0 ndaj Beshiktashit, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e tetë të Superligës së Turqisë.

Muçi theksoi se fitorja në shtëpi, para tifozëve të skuadrës, kishte rëndësi të veçantë, duke pasur parasysh forcën e kundërshtarit.

“Jam i lumtur që fituam këtë ndeshje në shtëpi, para tifozëve tanë”, deklaroi Muçi.

Sulmuesi 25-vjeçar shprehu besimin se Trabzonspori ka potencialin për të arritur objektiva të mëdha gjatë këtij edicioni.

“Çdo ndeshje është një mundësi e veçantë për ne. Megjithatë, besoj se kemi një ekip që do të arrijë suksese të mëdha këtë vit”, u shpreh ai, raportojnë mediumet turke.

Muçi është një prej futbollistëve të rëndësishëm të Trabzonsporit, ku këtë edicion ka regjistruar dy gola dhe tri asistime në dhjetë ndeshje të zhvilluara në të gjitha garat.

D.L

Exit mobile version