UBT News

Mposhtën Izraelin, vashat U19 të Kosovës marrin kreun e grupit

Përfaqësuesja e Kosovës U19 në kategorinë e femrave ka vazhduar me fitore në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian.

Vajzat dardane kanë arritur t’i mposhtin ato të Izraelit me rezultat 2-1, kështu duke u ngjitur në kuotën e nëntë pikëve dhe duke u bërë lidere të grupit.

Në fillim izraelitet morën epërsinë me anë të Talma Tal, e cila në minutën e 36-të e dërgoi topin në rrjetë.

Kështu me kaq përfundoi pjesa e parë, teksa në të dytën Kombëtarja jonë mori iniciativën duke e përmbysur rezultatin.

Pesë minuta pas fillimit të pjesës së dytë, ishte Eriona Elezi ajo që ekuilibroi shifrat në 1-1. Kurse për t’ia siguruar tri pikët e radhës Kosovës U19 u përkujdes Rreze Gashi, që realizoi në minutën e 71-të për 2-1.

Kosova zë vendin e parë në tabelë me nëntë pikë, tri më shumë se Izraeli dhe nëntë më shumë se Luksemburgu e Gjibraltari të cilët nuk e kanë ndjerë shijen e fitores./UBTNews/

Exit mobile version