Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës(MPJD) ka njoftuar se janë ndërmarrë të gjitha veprimet institucionale pas marrjes së informacionit për arrestimin e shtetasit kosovar Mit’hat Llozhani.
Llozhani u ndalua me të hyrë në Serbi, në pikën kufitare Batrovci, në kufi me Kroacinë.
“Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi ka adresuar një kërkesë zyrtare pranë Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, përmes së cilës ka kërkuar konfirmimin e arrestimit, sqarimin e arsyeve konkrete të ndalimit, si dhe çdo të dhënë tjetër relevante për trajtimin e mëtejmë të rastit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Po ashtu, Zyra Ndërlidhëse ka njoftuar për rastin edhe Delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi, si dhe ka dërguar nota verbale pranë misioneve diplomatike të vendeve të Quint-it të akredituara në Serbi, me qëllim sigurimin e angazhimit të partnerëve ndërkombëtarë në mbrojtje të të drejtave dhe sigurisë së shtetasit të Republikës së Kosovës.
Ndërkaq, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Serbi, Jetish Jashari është në kontakt të vazhdueshëm me familjen e të arrestuarit dhe përmes Zyrës Ndërlidhëse do të procedojë me paraqitjen e kërkesës zyrtare për lejimin e vizitës ndaj shtetasit Llozhani.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i ka bërë thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare që të rrisë presionin ndaj autoriteteve të Serbisë, e cila vazhdon praktikën e keqtrajtimit dhe arrestimit të shtetasve të Republikës së Kosovës, duke cenuar kështu normat dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
