Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njofton se Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi është njoftuar mbrëmjen e 22 korrikut për arrestimin e shtetasit të Republikës së Kosovës, Lulzim Halili.
Sipas informacioneve të pranuara, Halili është ndaluar nga autoritetet serbe në afërsi të qytetit Svilajnac, rreth 100 kilometra nga Beogradi dhe është dërguar menjëherë në mbajtje në Stacionin Policor të këtij qyteti.
Zyra Ndërlidhëse ka tentuar të konfirmojë arrestimin përmes kontaktit me Stacionin Policor në Svilajnac rreth orës 23:00 mbrëmë, mirëpo zyrtari policor kujdestar ka refuzuar të ofrojë detaje mbi rastin.
Zyra Ndërlidhëse i ka adresuar një kërkesë zyrtare Qeverisë së Serbisë, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë dhe me njoftim paralel për Delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi, për të konfirmuar zyrtarisht arrestimin dhe për të marrë informata shtesë lidhur me rastin. Deri më tani, nuk kemi pranuar përgjigje nga pala serbe.
Gjithashtu, Zyra Ndërlidhëse ka njoftuar për këtë rast misionet diplomatike të vendeve të QUINT-it të akredituara në Serbi si dhe Delegacionin e Bashkimit Evropian.
Sapo të konfirmohet nëse Halili do t’i nënshtrohet masës së paraburgimit dhe do të iniciohet procedurë penale ndaj tij, Zyra Ndërlidhëse do të parashtrojë kërkesë zyrtare për vizitë në Qendrën e Mbajtjes dhe për çdo zhvillim të mëtejmë rreth këtij rasti MPJD do të informojë publikun me kohë.
MPJD u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës të shmangin udhëtimet dhe kalimet transite përmes territorit të Serbisë, për shkak të rrezikut të shtuar për ndalime dhe arrestime arbitrare nga autoritetet serbe.