Fatmire Musliu, motra e deputetes Ganimete Musliu, i është kundërpërgjigjur kryeparlamentarit Glauk Konjufca lidhur me shkarkimin e saj nga konsulata e Kosovës në Frankfurt të Gjermanisë.
Konjufca tha se vendimin për shkarkimin e Musliut e kishte marrë shkaku i dy çështjeve që kanë të bëjnë me përleshje fizike në konsullatën e Kosovës dhe faktin që Musliu s’ishte kthyer 9 vjet në Kosovë që përbën shkelje të ligjit, raporton Gazeta Express.
“Motrën tuaj se kam gjykuar asnjëherë për nga gjenet e prejardhja e saj e as për faktin që është motra juaj. Vendimet që i kam marrë vitin e kaluar çështja ka qenë dy probleme, problemi i sulmit të saj fizik që e ka bërë në konsulatë dhe e dyta është që ajo për 9 vite s’është kthyer asnjëherë në shërbimin e jashtëm të Kosovës brenda Kosovës dhe kur një diplomat nuk kthehet për 9 vjet në Kosovë është shkelje dhe e paligjshme”, tha Konjufca sot në Kuvend.
Pas kësaj, ka reaguar, Fatmire Musliu e cila ka deklaruar se asnjëherë se ka sulmuar fizikisht askënd dhe nuk ka refuzuar kthimin në MPJD por që për kthimin e saj s’ka pasur vendim.
“I nderuar kryeparlamentar, Z. Konjufca, unë, Fatmire Musliu, Diplomate e Republikës së Kosovës, deklaroj publikisht se: 1. asnjëherë nuk kam qenë subjekt i ndonjë komisioni disciplinor brënda MPJD-së. 2. asnjëherë nuk e kam sulmuar askënd fizikisht. As në Konsullatë dhe as në Ambasadë. 3.Asnjëherë nuk e kam refuzuar kthimin tim në MPJD. Thjeshtë nuk kam pasur vendim për kthim. Dhe shërbimi i jashtëm, lëvizja rotative, nuk është shkelje e ligjit”, ka shkruar Musliu.
Postimi i plotë:
I nderuar kryeparlamentar, Z. Konjufca,
Unë, Fatmire Musliu, Diplomate e Republikës së Kosovës, deklaroj publikisht se:
Asnjëherë nuk kam qenë subjekt i ndonjë komisioni disciplinor brënda MPJD-së.
Asnjëherë nuk e kam sulmuar askënd fizikisht. As në Konsullatë dhe as në Ambasadë.
Asnjëherë nuk e kam refuzuar kthimin tim në MPJD. Thjeshtë nuk kam pasur vendim për kthim. Dhe shërbimi i jashtëm, lëvizja rotative, nuk është shkelje e ligjit.
Qasja Juaj ndaj meje është për keqardhje.
Kurse qasja juaj ndaj diplomacisë së vendit tonë është krim.
Une jam krenare për vetën dhe për prejardhjen time. Uroj që edhe Ju të mund të ndieheni rehat me vetën tuaj.
Nuk po shkruaj për gjendjen në të cilën e keni katandisur MPJD-në sepse jam edukuar që shtēpia nuk shahet. Për shtëpi punohet.