Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka publikuar parashikimin e motit për këtë javë, duke paralajmëruar kushte të ndryshueshme atmosferike, rënie të ndjeshme të temperaturave në mesin e javës, ngrica në mëngjes dhe reshje shiu e bore.
Gjatë kësaj jave, vendi do të ndikohet nga alternimi i masave ajrore që do të sjellin mot kryesisht të vranët, me intervale të herëpashershme me diell dhe reshje shiu, ndërsa në zonat malore priten reshje shiu dhe bore. Në mesin e periudhës parashihet ftohje e dukshme, ku temperaturat minimale do të zbresin deri në -8°C, duke krijuar kushte për ngrica në zonat e ulëta e luginore, si dhe mjegull që mund të vështirësojë qarkullimin rrugor. Drejt fundit të javës pritet një rritje e lehtë e temperaturave, por e shoqëruar me rikthim të vranësirave dhe reshjeve të shiut. Era do të fryjë e dobët deri mesatare nga verilindja, jugperëndimi dhe juglindja me shpejtësi 1 deri në 11 m/s.
Të hënën, më 23 nëntor, moti do të jetë kryesisht i vranët dhe me shi, ndërsa në viset e larta malore me shi dhe borë. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 2 deri në 5°C, kurse ato maksimale nga 6 deri në 9°C, me erë nga verilindja prej 1 deri në 11 m/s. Të martën, më 24 nëntor, parashihet mot me vranësira të shpërndara dhe intervale me diell, ndërsa në mëngjes priten ngrica dhe mjegull. Temperaturat minimale do të zbresin nga -5 deri në -3°C, ndërsa maksimalet do të arrijnë nga 3 deri në 6°C, me erë nga jugperëndimi prej 1 deri në 5 m/s.
Të mërkurën, më 25 nëntor, do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara, të cilat vende-vende mund të sjellin riga të dobëta shiu. Mëngjesi do të jetë me ngrica, ndërsa temperaturat minimale do të luhaten ndërmjet -8 dhe -4°C, kurse maksimalet nga 2 deri në 6°C, me erë të lehtë nga juglindja prej 1 deri në 4 m/s. Të enjten, më 26 nëntor, pritet mot kryesisht i vranët dhe me riga të herëpashershme shiu, ku temperaturat minimale do të jenë nga 0 deri në 3°C, ndërsa maksimalet nga 5 deri në 8°C, me erë nga jugperëndimi prej 1 deri në 6 m/s. Ndërkaq, të premten, më 27 nëntor, moti do të mbetet kryesisht i vranët dhe me kushte për reshje shiu, me temperatura minimale nga 2 deri në 5°C dhe maksimale nga 5 deri në 9°C, shoqëruar me erë nga jugperëndimi prej 1 deri në 6 m/s.
Sa i përket kushteve biometeorologjike, luhatjet e temperaturave, lagështia e lartë, ngricat dhe mjegulla e mëngjesit mund të shkaktojnë shqetësime te personat meteorosensitivë dhe ata me sëmundje kronike kardiovaskulare e respiratore, ndaj rekomandohet kujdes i shtuar në orët e hershme të ditës. Në sektorin e bujqësisë, temperaturat negative paraqesin rrezik për kulturat e ndjeshme ndaj ngricave, pemishtet dhe kulturat dimërore, megjithëse reshjet e shiut do të ndihmojnë në ruajtjen e lagështisë së tokës dhe bora në viset malore do të shërbejë si shtresë mbrojtëse e përkohshme. /E.A/
