Italia është përfshirë nga një mot i rëndë që ka shkaktuar përmbytje dhe dëme të mëdha në Sicili. Në fshatin Torre Archirafi, në zonën e Riposto-s, rrugët janë shndërruar në lumenj të fuqishëm, duke marrë përpara automjete që përfunduan më pas në det. Deri më tani, nuk ka raportime për të lënduar.
Në zonën e Aci Sant’Antonio, zjarrfikësit shpëtuan disa qytetarë të bllokuar në një supermarket të mbushur me ujë dhe disa shoferë që kishin ngecur në automjetet e tyre për shkak të nivelit të lartë të ujit. Ndërkohë, në Acireale, një person tjetër u shpëtua nga një shtëpi e përmbytur.
Në fshatin Altarello të Riposto-s, një lumë që doli nga shtrati përmbyti katin e parë të një banese ku ndodheshin katër persona, dy prej të cilëve me aftësi të kufizuara. Zjarrfikësit e Catanias ndërhynë me një mjet amfib për t’i shpëtuar ata.
Në total, vetëm në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, zjarrfikësit kanë kryer 64 operacione shpëtimi në të gjithë provincën e Catanias. Në autostradën A18, kanë ndërhyrë për të shpëtuar shoferë të bllokuar nga uji, ndërsa komunat më të prekura nga përmbytjet përfshijnë Giarre, Acireale dhe Linguaglossa.