Barcelona pritet të përballet me kushte të pafavorshme atmosferike në ndeshjen e së martës kundër Aston Villës, në kuadër të Ligës së Kampionëve. Parashikimet meteorologjike paralajmërojnë reshje shiu dhe temperatura të ulëta në kryeqytetin katalanas.
Sipas mediumit spanjoll SPORT, reshjet pritet të vazhdojnë edhe në momentin e fillimit të ndeshjes, me rreth 2.3 milimetra shi të parashikuar. Megjithatë, intensiteti më i lartë i reshjeve, sipas Shërbimit Meteorologjik të Katalonjës (Meteocat), pritet të regjistrohet para orëve të mbrëmjes.
Departamenti i logjistikës së Barcelonës tashmë ka njoftuar mediat për kushtet e pritshme atmosferike, duke u rekomanduar tifozëve të vishen ngrohtë. Temperaturat gjatë ndeshjes pritet të jenë rreth 13 gradë Celsius, ndërsa shpejtësia e erës mund të arrijë deri në 14 kilometra në orë.
Pavarësisht reshjeve të paralajmëruara, gjendja e fushës nuk paraqet shqetësim për organizatorët. Sistemi i drenazhimit në stadiumin “Spotify Camp Nou” konsiderohet i aftë për t’i përballuar edhe reshjet e dendura të shiut.
Kushtet e vështira atmosferike janë përsëritur në disa prej ndeshjeve të rëndësishme të Barcelonës këtë sezon.
Reshje të ngjashme pati edhe në fitoren 5:1 ndaj Feyenoordit, kur moti i keq ndikoi në numrin e tifozëve të pranishëm në stadium.
Po ashtu, shi i rrëmbyeshëm shoqëroi edhe fitoren 7:2 ndaj Racing Santanderit, ndeshje që u ndoq nga 45.838 spektatorë.
Ndërkohë, kushte edhe më të vështira atmosferike u regjistruan në El Clasicon e femrave mes Barcelonës dhe Real Madridit, kur për shkak të reshjeve të dendura, fillimi i takimit u shty për dy orë.
D.L
