Përballja e shumëpritur mes Anglisë dhe Norvegjisë në çerekfinalen e Kupës së Botës mund të mos zhvillohet sipas planit, për shkak të kushteve ekstreme atmosferike që pritet të godasin Miamin.
Sipas parashikimeve të motit, zona do të përballet me temperatura shumë të larta, lagështi të madhe dhe stuhi të forta me rrufe, duke ngritur pikëpyetje mbi zhvillimin e ndeshjes.
Edhe pse temperatura pritet të jetë rreth 34 gradë Celsius, lagështia e lartë do ta bëjë atë të ndihet si 43-44 gradë, duke krijuar kushte të vështira për futbollistët dhe tifozët.
Përveç vapës së madhe, shqetësimi kryesor mbeten stuhitë elektrike. Sipas protokolleve të FIFA-s, nëse regjistrohet një goditje rrufeje brenda një rrezeje prej 13 kilometrash nga stadiumi, ndeshja duhet të pezullohet ose të shtyhet menjëherë. Çdo goditje e re rrufeje e rinis automatikisht periudhën e pritjes prej 30 minutash, gjë që mund të shkaktojë vonesa të gjata.
Gjithashtu, gjyqtarët do të kryejnë matje të indeksit të nxehtësisë 90 dhe 60 minuta para fillimit të takimit, për të vlerësuar nëse kushtet paraqesin rrezik për shëndetin e lojtarëve.
Nuk do të ishte hera e parë që Anglia përballet me një situatë të tillë në këtë Botëror. Ndeshja e fazës së 1/8-tës ndaj Meksikës u shty me një orë për shkak të motit të keq dhe stuhive, duke bërë që sfida të përfundonte në orët e para të mëngjesit sipas kohës në Mbretërinë e Bashkuar.
Organizatorët do të monitorojnë vazhdimisht kushtet atmosferike, ndërsa një vendim përfundimtar për zhvillimin e ndeshjes do të merret në përputhje me protokollet e sigurisë të FIFA-s.
D.L
