UBT News

Mot i paqëndrueshëm në javën e parë të qershorit

Kosova këtë javë do të përfshihet nga mot i paqëndrueshëm gjatë ditëve të para të javës, me reshje lokale shiu, shkarkesa elektrike dhe rrezik për breshër në disa zona.

Sipas parashikimit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, java 1–5 qershor do të karakterizohet nga mot i ndryshueshëm, me intervale me diell dhe zhvillim të vranësirave që vende-vende do të sjellin reshje shiu dhe stuhi të izoluara.

Dita e hënë dhe e martë, priten të ketë reshje të shoqëruara me rrufe, ndërsa në disa rajone mund të ketë edhe breshër.

Pavarësisht kushteve të paqëndrueshme, temperaturat do të mbeten mbi mesataren për këtë periudhë. Vlerat maksimale do të arrijnë deri në 29 gradë Celsius, duke sjellë mot veror në pjesën më të madhe të vendit.

Nga mesi i javës moti pritet të stabilizohet gradualisht, me më shumë intervale me diell dhe vetëm reshje të izoluara lokale.

Instituti Hidrometeorologjik njofton gjithashtu se cilësia e ajrit do të mbetet kryesisht e mirë, ndërsa indeksi UV gjatë orëve të mesditës do të jetë i lartë. Qytetarët këshillohen të shmangin ekspozimin e zgjatur në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës.

Java do të sjellë temperatura të këndshme verore, por edhe rrezik për stuhi të shkurtra lokale, veçanërisht në fillim të saj.

Exit mobile version