Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se gjatë pesë ditëve të ardhshme, do të mbaj mot i paqëndrueshëm dhe një stabilizim i theksuar i motit parashihet nga data 19 qershor.
Sipas institutit, të hënën parashihet mot me diell dhe vranësira të cilat vende-vende do të shoqërohen me reshje shiu. Sa i përketë temperaturave , ato do të jenë të pandryshueshme me ditët e javës që po e lëmë.
“E marte- Mot kryesisht i ngjashëm, diell dhe vranësira të cilat parashihen të sjellin shi. E mërkurë- Mot me diell dhe vranësira të cilat parashihen të sjellin reshje shiu intensiteti i të cilave do të jetë më i dobët. Reshje më të fokusuara do të jenë në relievin malor. E enjte- Mot i ngjashëm po thuaj me të gjithë elementet dhe dukuritë që ishin prezent ditëve të fundit, diell dhe vranësira të cilat parashihen të sjellin shi dhe shkarkime rrufesh. E premte- Mot i vranët dhe me intervale me diell. Vranësirat parashihen të sjellin reshje shiu dhe shkarkime rrufesh. Temperaturat mbeten pothuaj konstante me ditët e fundit. Shkarkime rrufesh në shumë zona parashihen gati çdo ditë, por nuk përjashtohen mundësitë që në zona të izoluara të bie breshër, si pasojë e ndryshimeve termike dhe barike. Një stabilizim i theksuar i motit parashihet nga data 19 qershor. Gjatë këtyre pesë ditëve të parashikimit do të fryjë erë nga drejtimi i verilindjes e lehtë dhe lokalisht e fortë”, thuhet në njoftim.