Sot në Kosovë do të mbajë mot kryesisht i vranët dhe relativisht i freskët për këtë periudhë të vitit, njofton Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK). Ndonëse gjatë ditës priten intervale të shkurta me diell, në pjesën më të madhe të vendit do të dominojnë vranësirat, të cilat do të shoqërohen me reshje shiu dhe zhvillime lokale të reve konvektive.
Temperaturat do të shënojnë ulje të dukshme krahasuar me ditët e fundit, ku ato minimale do të lëvizin ndërmjet 9°C dhe 13°C, ndërsa maksimalet e ditës do të arrijnë nga 17°C deri në 20°C.
Pavarësisht rënies së temperaturave, kushtet biometeorologjike do të jenë kryesisht të favorshme për shumicën e qytetarëve, duke u ofruar lehtësim atyre që kanë ndier lodhje nga të nxehtit e ditëve të kaluara. Ndërkohë, personat me sëmundje kronike mund të përjetojnë vetëm shqetësime të lehta për shkak të luhatjeve të motit.
Nga ana tjetër, ky ndryshim i motit do të ketë ndikim pozitiv në bujqësi. Reshjet dhe ulja e temperaturave do të përmirësojnë lagështinë në tokë dhe do të ulin stresin termik te bimët, me fokus të veçantë te kulturat perimore. Sidoqoftë, IHMK u rekomandon fermerëve që spërkatjet dhe aktivitetet mbrojtëse t’i kryejnë gjatë kohës pa reshje, si dhe të monitorojnë me kujdes bimët për mundësinë e shfaqjes së sëmundjeve kërpudhore nga lagështia e shtuar. /E.A/
