Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se qeveria ka dështuar sa i përket reformës në drejtësi.
Hulumtuesi Gëzim Shala e ka përmendur mungesën e Vetingut si dështim në këtë proces, që ishte premtim i qeverisë.
IKD ka prezantuar të hënën raportin me titull “Dështimi i reformës në drejtësi”, aktivitet që po mbahet në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit 2024”.
“Përderisa në fillim të mandatit është ndryshuar ligji për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve në vetëm një nen dhe janë injoruar problemet e tjera të këtij ligji, pra nuk janë hapur edhe problemet e tjera. Ndërkaq tash kur po përfundon mandati, ligji për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve ende nuk është i reformuar, ende nuk ka të drejtë ankese nëse një autoritet kompetent e hedh një ankesë disiplinore dhe të gjitha këto çështje e ndërtojnë argumentin se reforma në drejtësi në kuptimin e plotë të fjalës ka dështuar dhe nuk është arritur kjo reformë përkundër premtimeve dhe pritjeve të mëdha që kjo reformë të ndodh”, ka thënë ai.
Në këtë tryezë, koordinatori i Departamentit për drejtësi në Partinë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda ka kritikuar qeverinë Kurti për mos punë në reformën për drejtësi.
“Qeveria nuk ka miratuar strategji kundër korrupsionit, është shprehje e mungesës totale të vullnetit politik për të korrupsionin, po ky vend ka një standard, ai standard është që kur njerëzit akuzohen për korrupsion, nuk ndodh si ka ndodh në qeveritë e kaluara, jo që kanë bërë mrekulli, por qeveritë e kaluara, kryeministrat, kanë bërë një distancë ndaj njerëzve të akuzuar dhe i kanë lënë të paktën organet e drejtësisë me e bë punën e vet. Ky standard më nuk ekziston. Sa herë akuzohet një ministër, kryeministri në kuvend i merr në mbrojtje të akuzuarit dhe i sulmon gjyqtarët dhe prokurorët. E keni ministren e Drejtësisë që bënë të njëjtën që është totalisht jashtë funksionit të saj, pasi që përshkrimet e tyre janë të forcojë sistemin e drejtësisë…Kjo është Qeveria më e dështuar që ka pasur Kosova, prej që është e lirë, e jo vetëm e pavarur”, ka thënë ai.
Shef i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se Kosova po përballet me problemin e korrupsionit.
“Si ka mundësi të votohet një familjar i një zëvendëskryeministri duke qenë prezent, a e dini çfarë konflikt interesi është ky. A e dini çfarë praktike është kjo. Kjo është praktikë e pabesueshme, e pa imagjinueshme në një shtet. Në një rast e njoh personin në fjalë, është një zonjë e nderuar, mirëpo prej konceptit është gabim. Nuk po e gjykoj individin, por mendësia është total gabim…Tjetra çështje lidhet drejtpërdrejt me luftën kundër korrupsionit. Ne e kemi armik Serbinë, por armiku i shoqërisë Kosovë e Shqipëri është korrupsioni. Ne duhet të flasim hapur sidomos gjatë kësaj jave, pasi që është problem serioz që duhet luftuar nga të gjithë ne. Korrupsioni është kancer”, ka thënë ai.
Instituti i Kosovës për Drejtësi ka radhitur, ndër të tjera, si dështim të qeverisë edhe mosjetësimin e reformës në Këshillin Prokurorial si dhe mungesën e Strategjisë kundër korrupsion.