Të rinjtë nga Lugina e Preshevës vazhdojnë të kenë vështirësi për t’u qasur në institucione shtetërore, kjo për shkak të mosnjohjes së diplomave të Kosovës nga autoritetet serbe.
Lirigzona Nuredini
Presheva, Bujanoci e Medvegja janë tri komuna shqiptare që gjenden në territorin e Serbisë, që ndryshe njihen edhe si Lugina e Preshevës.
Për dallim nga Presheva e Bujanoci ku shqiptarët janë shumicë, në komunën e Medvegjës kanë mbetur pak shqiptarë të cilët kanë probleme të mëdha sidomos me fshirjen e tyre nga listat e regjistrimit si banorë të saj.
Diskriminimin e vazhdueshëm që ua bënë Serbia këtyre tri komunave po u pamundëson të rinjve që të mos qasen edhe në institucione shtetërore, për shkak të mosnjohjes së diplomave të Kosovës në Serbi.
Ndonëse marrëveshjet e nënshkruara për njohjen e diplomave reciproke në Bruksel nuk po respektohen dhe për këtë më së shumti po pësojnë të rinjtë nga Lugina.
Artan Ibishi nga Presheva ka përfunduar studimet në Fakultetin e Arteve në degën e aktrimit pranë Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, i cili tash e 5 vite e ka dorëzuar diplomën për nostrifikim në Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknlogjisë në Beograd në vitin 2016, kur është nënshkruar marrëveshja e dytë në Bruksel dhe ende nuk ka marrë përgjigje, ndërsa në Shtëpinë e Kulturës për Teatër është punësuar me diplomë të shkollës së mesme.
“Me hapjen e Teatrit në vitin 2017, unë aplikova për punë, mirëpo problemi ishte se kisha diplomë nga Universiteti i Prishtinës. Në vitin 2016 kam dorëzuar në Beograd diplomën për nostrifikim dhe tash e 5 vite ende nuk kam marrë përgjigje, ndërsa në Shtëpinë e Kulturës u pranova me diplomë të shkollës së mesme në profesionin që kam përfunduar studimet”, tha ai.
Deri në vitin 2008 janë njohur vetëm diplomat nga Misioni i Kombeve të Bashkuara të Kosovës (UNMIK), që një pjesë e të rinjve janë pranuar nëpër institucione në atë periudhë.
Një organizatë me shkurtesë SPARK, e cila kishte hapur zyrët në dy degë në Kosovë dhe Beograd, u mundësonte vetëm aplikim për nostrifikimin e diplomave, mirëpo ishte mbyllur brenda një kohe të shkurtër.
Ragmi Mustafi nga Këshilli Kombëtar Shqiptar në Bujanoc, thotë se mosnjohja e diplomave të Kosovës në Serbi për shqiptarët nga Lugina e Preshevës është shqetësim i madh.
“Marrëveshja e Brukselit është e paraparë që të njihen diplomat, por nga ai proces nuk është njohur nga Serbia, që për shqiptarët e Luginës së Preshevës, gjegjësisht studentët që aplikojnë për punë, është shqetësim i madh”, tha ai.
Tutje ai shtoi se Marrëveshja e Washingtonit nëse zbatohet do të ishte mundësi e mirë për të rinjtë që përfundojnë studimet në Kosovë, ku thotë që për këtë ai është adresuar edhe në Ambasadën në Beograd dhe OSBE, Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë e atë të Kosovës.
“Kam adresuar në Ministrinë e Arsimit të Kosovës dhe atë të Shqipërisë në lidhje me mosnjohjen e diplomave të Kosovës në Serbi, kam adresuar edhe në Ambasadën në Beograd, OSBE-në, edhe në pakicat kombëtare, duke u treguar se Këshilli Kombëtar bëhet në urdhrat e juaja, mirëpo vetëm telefonata kam marrë, por nëse marrëveshja e Washingtonit fillon së zbatuari do të ishte mundësi e mirë për rinjtë e Luginës së Preshevës”, tha ai.
Në marrëveshjen e Washingtonit pika e 6 dhe e 12 përshkruan që të njihen çertifikatat dhe diplomat e të dyja shteteve.
Belgzim Kamberi, kryetar nga Këshilli për Drejtat e Njeriut në Preshevë e quan shkelje të të drejtave të njeriut mosnjohjen e diplomave të Kosovës në Serbi.
“E para do të thotë diskriminim mbi baza politike dhe e dyta është moszbatimi i marrëveshjes të cilat i ka pranuar dhe miratuar autoriteti serb, pra të marrëveshjes ndërkombëtare qoftë ajo e Brukselit apo e Washingtonit dhe kjo është shkelje e të drejtave të njeriut në kuptimin e të drejtës së njerëzve për të njohur arsimimin dhe qasjen në arsim”, deklaroi ai.
Ndërsa në kontaktin me Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë të Serbisë në Beograd në lidhje me mosnjohjen e diplomave të Kosovës në Serbi, përkatësisht me marrëveshjen e Washingtonit kanë adresuar në kontaktin me Agjensinë e Kualifikimeve të Beogradit, të cilët vetëm kanë tregur se me çka merret ajo ndërsa nuk janë deklaruar në përgjigjen e pyetjes së parashtruar.
“Agjencia për Kualifikime, dmth ENIC / NARIC si pjesë organizative e të njëjtave merret me njohjen e dokumenteve të huaja të shkollës dhe arsimit të lartë në përputhje me Ligjin mbi Kornizën Kombëtare të Kualifikimeve të Republikës së Serbisë (“Gazeta Zyrtare e RS” Nr. . 27/2018 dhe 6/20) dhe Ligji mbi arsimin e lartë (“Gazeta Zyrtare e RS”, Nr. 88/17, 27/18 – ligje të tjera, 73/18, 67/19 dhe 6/20 – ligje të tjera ), megjithatë, subjekt i kësaj njohje janë ekskluzivisht dokumentet e huaja shkollore zyrtare dhe arsimi i lartë.
Të rinjtë nga Lugina e Preshevës vazhdojnë studimet në Universitetet e Kosovës, Maqedonisë Veriperëndimore dhe Shqipërisë, ndërsa një numër shumë i vogël vazhdojnë të studiojnë në Universitetet e Serbisë, dhe për këtë në mbarim të studimeve ndjehen të pasigurt për të vazhduar rrugëtimin e tyre, por vazhdimisht kanë shpresë që të zgjidhet ky problem.
(Lirigzona Nuredini, studente në Media dhe Komunikim në UBT)