UBT News

Moskonstituimi i tërësishëm i Kuvendit as në përpjekjen e 59-të

Edhe pse deputetët kanë zgjedhur kryetarin e Kuvendit, Dimal Bashën, dhe katër nënkryetarë, konstituimi nuk konsiderohet i plotë për shkak se nuk është zgjedhur edhe nënkryetari nga Lista Serbe.

Dimal Basha mori besimin e 73 deputetëve, 30 ishin kundër dhe tetë abstenuan.

Seanca vazhdoi me zgjedhjen e nënkryetarëve nga tri partitë më të mëdha shqiptare, ku Albulena Haxhiu, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala, u zgjodhën si pako me shumicë të votave, 101 pro, asnjë kundër dhe 9 abstenime.

Në radhët e komunitetit joserbe, u zgjodh nënkryetare Emilia Rexhepi me 73 vota pro, një kundër dhe 23 abstenime.

Gjatë seancës, problemet nisën me propozimin nga Lista Serbe, pasi që kjo parti propozoi tri herë Slavko Simiqin si nënkryetar dhe të tri heret nuk mori votat e mjaftueshme për të kaluar si nënkryetar.

Simiq, mori vetëm dhjetë vota për nga Lista Serbe dhe deputeti goran, Adem Hoxha, kurse kundër votuan 56 deputetët e LVV-së, ndërkaq 23 deputetë nga PDK abstenuan, kurse nga deputetët e LDK-së nuk morën pjesë në votim.

Derisa deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq propozonte Simiqin për të katërtën herë, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ia ndali mikrofonin, pasi Simiq kundër rregullores së Kuvendit, komentonte situatën edhe pse nuk lejohet debat përveç propozimit të emrit.

Ai akuzoi Bashën se me ndarjen e votimit veç e veç për komunitetet joshumicë, po shkelin rregulloren e Kuvendit, derisa insistonte që përkundër aktvendimit të Kushtetueses që një kandidat duhet të propozohet vetëm tri herë, ta propozojë Simiqin edhe për herën e katërt.

Basha vazhdoi seancën me votim me short por sërish deputetët e Listës Serbe nuk morën votat e mjaftueshme.

Njëjtë ndodhi edhe me deputetin tjetër nga komuniteti serb, Nenad Rashiq, i cili është kryetar i Partisë së Pavarur Liberale.

Rashiq mori vetëm 55 vota për, një deputet ishte kundër, kurse shtatëmbëdhjetë sosh abstenuan.

Ndërkaq, deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk morën pjesë në votim fare në momentin e votimit të nënkryetarit nga komuniteti serb.

Kjo ka bërë që seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, të ndërpritet për të vazhduar të enjten prej orës 11:00.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde duke komentuar moskonstituimin e Kuvendit, për shkak se shumica e deputetëve refuzuan ta votojnë nënkryetarin nga Lista Serbe, ka thënë se protagonistët nuk kanë vullnet politik për të gjetur një zgjidhje dhe se kjo është e keqe për Kosovën.

Ka reaguar edhe Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), i cili ka shprehur shqetësimin duke theksuar se as në përpjekjen e 59-të, Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk arriti të përmbyllë procesin e konstituimit.

“Megjithëse u zgjodh kryetari i Kuvendit dhe tre nënkryetarë nga subjektet më të mëdha parlamentare, KDI vlerëson se gjatë procesit të zgjedhjes së dy nënkryetarëve nga radhët e komuniteteve jo-shumicë ka pasur shkelje procedurale nga ana e kryetarit të Kuvendit, përmes vendosjes së një procedure të ndarë votimi për kandidatin nga komuniteti serb dhe atë nga komunitetet tjera jo-shumicë. Aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese kanë përcaktuar se konstituimi i Kuvendi duhet të bëhet edhe në bazë të praktikave të deritanishme sipas të cilave pesë (5) nënkryetarët e Kuvendit janë votuar në dy pako të ndara. Fryma e Kushtetutës së Republikës së Kosovës (neni 67), Rregullores së Punës së Kuvendit (neni 12) dhe aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese nënvizon thelbësisht nevojën për konsensus dhe gjithpërfshirje gjatë votimit të kryetarit/es dhe nënkryetarëve. Devijimi nga kjo procedurë, jo vetëm që cenon procesin e konstituimit të Kuvendit por edhe pengon zbatimin e obligimeve kushtetuese për garantimin e përfshirjes së komunitetit serb në institucionet e Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.

KDI u bën thirrje subjekteve parlamentare që me përgjegjësi institucionale dhe duke pasur në prioritet interesin shtetëror, të përkushtohen për të gjetur një zgjidhje që përmbyllë sa më parë procesin e konstituimit të Kuvendit në përputhje me frymën e Kushtetutës, Rregulloren e Punës dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese.

Përndryshe, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, procesi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës shënon hapin e parë institucional drejt formimit të institucioneve të reja të vendit.

Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, mbledhja konstituive e Kuvendit duhet të thirret nga Presidenti i vendit brenda 30 ditëve pas certifikimit të rezultateve zgjedhore.

Exit mobile version