UBT News

Moska paralajmëron: NATO të mos e çojë botën drejt një përplasjeje të rrezikshme

Kreu i Kremlinit, Vladimir Putin ka zhvilluar disa biseda telefonike me presidentët e Indisë, Brazilit dhe Afrikës së Jugut, në një përpjekje për të forcuar lidhjet me vendet aleate të BRICS dhe për të treguar se Rusia nuk është e izoluar në skenën ndërkombëtare.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se procesi i paqes do të jetë i gjatë, por paralajmërimet ruse u bënë më të ashpra përmes zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova.

Ajo kritikoi ashpër praninë e trupave të huaja në Ukrainë dhe akuzoi Britaninë e Madhe se po “shtyn NATO-n drejt një konflikti global”, duke e cilësuar Londrën si aktorin më provokues në Perëndim.

“Londra, e fiksuar pas përshkallëzimit të konfliktit, po përpiqet të sabotojë përpjekjet e dialogut mes Moskës dhe Uashingtonit, duke e shtyrë NATO-n drejt një humne të rrezikshme”, deklaroi Zakharova.

Ndërkohë, në mediat shtetërore ruse u duk qartë triumfalizmi. Talk show-t dhe edicionet informative të mbrëmjes ironizuan liderët evropianë dhe përçuan mesazhin se Rusia tashmë ka fituar ndërsa Europa, sipas tyre, është palë humbëse në këtë konflikt.

Analistët rusë janë të bindur se takimi në Shtëpinë e Bardhë shënon fundin e afërt të luftës në Ukrainë.

Megjithatë, ndonëse retorika zyrtare është agresive dhe e sigurt, në ajër ndihet një lloj pasigurie.

Exit mobile version