Kremlini ka njoftuar se është i hapur për të rinisur dialogun me vendet evropiane, por ka bërë të qartë se nuk do të pranojë asnjë kushtëzim apo ultimatum nga pozicioni i forcës. Kjo deklaratë e zëdhënësit Dmitry Peskov vjen pas sinjaleve se Bashkimi Evropian po tenton të hapë me kujdes kanalet e komunikimit me Moskën, të cilat u ndërprenë që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës. Sipas Kremlinit, presidenti Vladimir Putin është i gatshëm për bisedime, por hapi i parë duhet të vijë nga vetë blloku evropian, i cili deri më tani ka ndërmarrë 20 pako sanksionesh ekonomike ndaj Rusisë.
Pasi ia la për më shumë se një vit ndërmjetësimin Donald Trumpit, zyra e Presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka zhvilluar javët e fundit kontakte të shkurtra diplomatike me Kremlinin. Ndërsa kancelari austriak Christian Stocker kërkoi që BE-ja të shfrytëzojë këtë moment për bisedime, nisma e Costës ka zbuluar ndarje të thella brenda bllokut. Në samitin e fundit në Bruksel, disa shtete anëtare u ankuan se nuk ishin konsultuar paraprakisht dhe kërkuan që fokusi të mbetet ekskluzivisht te presioni ushtarak dhe sanksionet ndaj Rusisë.
Nga ana tjetër, Ukraina po rrit presionin përmes sulmeve masive me dronë në thellësi të territorit rus, duke synuar të kthejë situatën në favor të saj. Autoritetet ruse konfirmuan se nga sulmet e fundit ka mbetur e vdekur një vajzë 8-vjeçare në rajonin e Moskës, ndërsa për të dytën herë brenda pak ditësh u përfshi nga flakët një rafineri e madhe nafte në juglindje të kryeqytetit. I pyetur nëse Putin i ka parë pamjet e rafinerisë duke u djegur, Peskov u kundërpërgjigj duke u kërkuar gazetarëve të shohin shkatërrimet në qytetet ukrainase dhe paralajmëroi se sulmet ruse do të vazhdojnë nëse nuk arrihet një zgjidhje diplomatike. /Reuters/ /E.A/
