UBT News

Momente paniku në futbollin spanjoll, sulmuesi pëson arrest kardiak pas përplasjes me portierin

Një incident i rëndë ka ndodhur në ndeshjen mes Tenerifes dhe Andorrës, e vlefshme për Ligën e Dytë të futbollit spanjoll, ku sulmuesi i skuadrës vendase, Jesus De Miguel, pësoi arrest kardiak pas një përplasjeje të fortë me portierin kundërshtar, Jesus Owono.

Ngjarja ndodhi në minutën e 99-të të takimit, gjatë kohës shtesë, kur një duel mes dy futbollistëve mori një kthesë dramatike.

De Miguel, 30-vjeçar, po tentonte të niste një kundërsulm për Tenerifen, pasi kishte marrë topin pranë rrethit të mesit të fushës. Në atë moment, portieri i Andorrës, Jesus Owono, doli për ta ndalur aksionin, por përplasja mes tyre ishte shumë e fortë.

Owono e goditi sulmuesin me gju në pjesën e gjoksit, duke e rrëzuar në tokë. Fillimisht, De Miguel u rrotullua nga dhimbjet, por pak sekonda më vonë mbeti i palëvizur në fushë.

Lojtarët e të dyja skuadrave reaguan menjëherë, duke kërkuar ndërhyrjen urgjente të stafit mjekësor, pasi kuptuan se situata ishte serioze.

Sipas informacioneve të bëra publike, sulmuesi kishte pësuar arrest kardiak dhe kishte humbur ndjenjat. Ekipet mjekësore të të dyja klubeve ndërhynë menjëherë, duke nisur procedurat e reanimimit kardiopulmonar (CPR).

Ndërhyrja mjekësore zgjati rreth 10 minuta, ndërsa futbollistët dhe të pranishmit në stadium përjetuan momente ankthi, duke ndjekur nga afër përpjekjet për stabilizimin e gjendjes së lojtarit.

Pas ndihmës së parë në fushë, De Miguel u largua me barelë dhe u transportua me ambulancë drejt një spitali në Santa Cruz, ku iu nënshtrua trajtimit të specializuar.

D.L

Exit mobile version