Ish-sulmuesi i Liverpoolit, Mohamed Salah, është përballur me një moment të pazakontë vetëm pak javë pasi nisi aventurën e tij të re te Trabzonspori.
34-vjeçari iu bashkua klubit turk në fillim të këtij muaji si lojtar i lirë, pas përfundimit të kontratës me Liverpoolin. Vendimi i tij për të vazhduar karrierën në Turqi surprizoi shumë tifozë dhe analistë të futbollit.
Pas prezantimit zyrtar, Salah vizitoi distriktin Arakli në Trabzon, ku u prit nga kryetari i komunës, Huseyin Avni Coskun Çebi. Takimi ishte planifikuar fillimisht si pjesë e një xhirimi promovues, por mori një kthesë të papritur.
Gjatë bisedës, Çebi foli për ndikimin e ndryshimeve klimatike dhe përmendi se në të ardhmen temperaturat e larta mund ta bëjnë jetën më të vështirë në Egjipt, vendlindjen e futbollistit.
“Ngrohja globale po kërcënon botën. Në të ardhmen do të bëhet e vështirë të jetohet në Egjipt gjatë verës. Distrikti ynë do të jetë shumë i banueshëm dhe ndër vendet më pak të prekura nga ngrohja globale”, tha ai.
Më pas, kryetari i komunës i bëri Salahut një ofertë që e la të habitur.
“Prandaj, le t’ju dhurojmë një copë të bukur tokë këtu. Mund të jetë një vend i mrekullueshëm për fëmijët dhe nipërit tuaj, pa probleme me ujin dhe i paprekur nga ngrohja globale”, shtoi Çebi.
Reagimi i Salahut u bë menjëherë viral në rrjetet sociale. Egjiptiani u pa duke prekur fytyrën në shenjë befasie, ndërsa iu përgjigj kryetarit të komunës me një “Faleminderit”, përpara se ta përshëndeste me shtrëngim duarsh.
Salah ka nisur kështu një kapitull të ri në karrierën e tij me Trabzonsporin, klub me të cilin, sipas raportimeve, do të përfitojë rreth 16.8 milionë euro në sezon. Me afrimin e yllit egjiptian, Trabzonspori synon të rivalizojë Galatasarayn dhe Fenerbahçen në garën për titullin e kampionit në Turqi.
D.L
