Luka Modriq ka festuar të mërkurën ditëlindjen e 41-të, por mosha duket se është vetëm një numër për yllin kroat të futbollit.
Mesfushori vazhdon të jetë i motivuar për të fituar trofe me Milanin, ndërsa synon të udhëheqë edhe Kombëtaren e Kroacisë në Ligën e Kombeve.
Modriq është aktualisht lojtari më i vjetër që luan në pesë ligat kryesore të Evropës këtë sezon. Pas tij renditet Edin Xheko i Schalkes, i cili është 40-vjeçar.
Një tjetër statistikë interesante është se Modriq është më i vjetër se pesë trajnerë që aktualisht drejtojnë skuadra në Serie A.
Përveç urimeve private, kapiteni i Kroacisë mori edhe urime publike nga Milani. Klubi italian publikoi një video me disa prej lëvizjeve dhe momenteve më të mira të Modriqit, të shoqëruara me brohoritjet e tifozëve dhe mesazhin:
“Mjeshtri ynë mbush 41 vjet.”
Urime për Modriqin pati edhe nga Federata Kroate e Futbollit, e cila e cilësoi moshën 41-vjeçare si diçka të zakonshme për kapitenin e saj.
“Sipas kalendarit të Luka Modriqit, 41 është vetëm një numër për të rinjtë! I urojmë kapitenit shumë shëndet, lumturi dhe suksese në ditëlindjen e tij. Shpresojmë që të vazhdojë të thyejë rekorde dhe të kënaqë botën e futbollit”, shkroi federata kroate.
Pavarësisht 41 viteve, Modriq vazhdon të shkruajë histori në futbollin evropian.
D.L
