Kapiteni i Kroacisë, Luka Modriq, ka shkruar një tjetër kapitull të artë në karrierën e tij të jashtëzakonshme, duke u bërë vetëm lojtari i katërt në histori që arrin shifrën e 200 ndeshjeve ndërkombëtare.
Mesfushori legjendar regjistroi paraqitjen e tij jubilare në fitoren 1:0 të Kroacisë ndaj Panamasë në Kupën e Botës 2026. Me këtë arritje, Modriqi i bashkohet një grupi shumë ekskluziv futbollistësh, ku bëjnë pjesë edhe Cristiano Ronaldo me 230 ndeshje, Bader Al-Mutawa i Kuvajtit me 202 dhe Lionel Messi me 201 paraqitje.
40-vjeçari debutoi me fanellën e Kroacisë më 1 mars 2006 dhe, dy dekada më vonë, vazhdon të jetë figura kryesore e përfaqësueses kroate.
Gjatë karrierës së tij ndërkombëtare, Modriqi e ka udhëhequr Kroacinë drejt suksesit historik, duke arritur finalen e Kupës së Botës në vitin 2018, vendin e tretë në vitin 2022 dhe finalen e Ligës së Kombeve në vitin 2023.
Karriera e tij në nivel klubesh ka qenë po aq mbresëlënëse. Modriqi la gjurmë të pashlyeshme te Real Madridi, ku luajti nga viti 2012 deri në vitin 2025, duke fituar gjashtë trofe të Ligës së Kampionëve, katër tituj të La Ligas dhe shumë trofe të tjerë. Së fundmi, ai ishte pjesë e Milanit.
Megjithëse paraqitja e tij jubilare nuk u vlerësua ndër më të mirat nga mediat kroate, Modriqi tregoi edhe një herë cilësinë e tij në organizimin e lojës. Ai realizoi 69 pasime të sakta nga 78 tentativa, ndërsa në 19 ndeshjet që ka zhvilluar në Kampionatet Botërore ka ruajtur vazhdimisht një saktësi pasimesh prej të paktën 80 për qind.
Pas ndeshjes, mbrojtësi kroat Marin Pongraçiq e vlerësoi lart kapitenin e tij.
“Të luash 200 ndeshje për vendin tënd është një arritje e jashtëzakonshme. Ai është lideri ynë, kapiteni ynë dhe një figurë shumë e rëndësishme për ekipin. Jemi me fat që e kemi”, tha Pongraçiq.
Federata Kroate e Futbollit u kujdes që momenti historik të shënohej në mënyrë të veçantë. Lojtarët veshën bluza me mbishkrimin “Trashëgimi e pafundme” gjatë xhiros së nderit dhe më pas e ngritën kapitenin e tyre në ajër në shenjë festimi.
Edhe sulmuesi Ante Budimir, autor i golit të fitores, theksoi rëndësinë e arritjes së Modriqit.
“Nuk ka shumë lojtarë në botë që arrijnë mbi 200 ndeshje me ekipin kombëtar. Fakti që kjo arritje erdhi me një fitore kaq të rëndësishme e bën edhe më të veçantë. Jemi të lumtur për të dhe krenarë që e kemi kapiten”, u shpreh Budimir.
Vetë Modriqi nuk e fshehu emocionin pas ndeshjes.
“Të arrish 200 ndeshje me fanellën më të dashur është diçka e pabesueshme. Jam shumë i lumtur dhe krenar. Ishte një ndeshje e vështirë nga fillimi deri në fund. E dinim rëndësinë e saj dhe kjo ndikoi në lojën tonë, por më e rëndësishmja është fitorja”, deklaroi kapiteni kroat.
D.L
Foto: ESPN
