Luka Modric ka dhënë vlerësime të mëdha për Rafael Leaon pas fitores së Milanit ndaj Fiorentinës, ndeshje në të cilën portugezi shënoi dy gola vendimtarë.
“Rafa është vërtet fantastik. Fatkeqësisht u lëndua herët, por tani është rikthyer dhe ky është Leao që na duhet. Ai është një nga më të mirët në botë dhe mund të përmirësohet ende. Shpresoj që këto dy gola ta ndihmojnë të fitojë më shumë vetëbesim, sepse është shumë i rëndësishëm për ne,” tha Modric.
Leao gjithashtu u shpreh i lumtur për bashkëpunimin me kroatin duke thënë se të luash me lojtarë si Modric të bën të rritesh.
“Kur mbërriti në Milanello më përqafoi dhe më tha se donte të më ndihmonte. Të luash me lojtarë si Modric të bën të rritesh. Jam shumë i lumtur dhe besoj se do të më japë shumë asiste për ta çuar Milanin përpara”, tha Leao.
“E dinim që do të ishte e vështirë. Fiorentina ka lojtarë cilësorë, por ne bëmë punë të mirë si grup. Dy golat e mi ia dedikoj familjes dhe shokëve të ekipit pas një muaji e gjysmë mungesë për shkak dëmtimi”, vazhdoi ai.
Në fund, Modric theksoi se skuadra duhet të vazhdojë me qetësi sepse po rriten si ekip dhe kjo është rruga e duhur për ata./S.K/KP/