Rikthimi i trendeve të viteve të ’80-ta dhe ’90-ta vërehet dukshëm edhe në shoqërinë kosovare. Cennet Lika, ligjëruese në Fakultetin Dizajn i Integruar në UBT në një intervistë dhënë për UBTNews tha se më herët moda konsiderohej si zgjidhje e problemeve, ndërsa tash shërben për t’u dukur sa më bukur. Ajo shpjegon gjerësisht se pse ka ndodhur rikthimi i trendeve të tilla.
“Në kohët e mëhershme moda ka qenë një zgjidhje e problemeve, kemi rastin e korsetave të ngushtë të cilët me kalimin e kohës janë hequr nga përdorimi për shkak se kanë shkaktuar vdekje të mëhershme të grave për shkak të deformimit të madh të trupit. Momentalisht, moda nuk mund të zbulohet, duhet që patjetër të kthehet 9-10 vite mbrapa, që të inspirohemi dhe të ridizajnojmë diçka të re, por me influencë të kohëve të mëparshme. Mirëpo tash moda nuk përdoret si mjet për zgjidhjen e problemeve, por për t’u dukur sa më bukur. Influenca më e madhe vie nga artista ose persona të njohur botërisht, psh në momentin që Kim Kardashian ose Rihanna vesh diçka, ajo veshje do të kthehet në trend brenda një viti”, deklaroi ajo.
Lika tha se edhe shoqëria kosovare tenton t’i përcjellë trendet, por më shumë anon kah rehatia. Sipas saj, në shoqërinë tonë moshat e reja janë të prirura që të shpenzojnë më shumë në veshje më të lira dhe me kualitet më të ulët, kurse moshat më të vjetra shpenzojnë në veshje më të shtrenjta dhe me kualitet të lartë. Madje thotë se disa prej brendeve ndërkombëtare shitjen me të madhe prej vendeve të rajonit e kanë në Kosovë.
Këtë vit sipas Likës ngjyrat neon do të dominojnë në modë, e në veçanti ngjyra vjollce, si dhe trendi minimalist. Kur jemi te trendi minimalist, Lika sugjeron se duhet të aplikohet edhe më shumë e sidomos nga dizajnerët.
“Minimalizmi duhet të shfaqet dhe përdoret më shumë. Minimalizmi ndikon në patron (shabllon), ku
veshja duket e thjeshtë, por përmban detaje të shumta të cilat kur shihen në realitet kanë një paraqitje
të bukur. Shpresojmë që në Kosovë të kemi dizajnerë që i përmbahen minimalizmit sepse tregu jonë ka
nevojë për detaje dhe veshje të tilla”, deklaroi ajo./UBTNews/
Diellza Misimi, studente në Shkenca Politike në UBT