Për nder të Ditës Ndërkombëtare të Teatrit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka ndarë çmimet vjetore në fushën e teatrit. Me këtë rast, u ndanë pesë çmime për regjinë më të mirë, për aktorin më të mirë, etj.
Ministri i MKRS-së, Hajrullah Çeku tha se dikasteri që ai e drejton vëmendjen e ka në fushën e teatrit. Ai përmendi edhe fituesit për vitin 2022.
“Për nder të ditës ndërkombëtare të artit shfrytëzoj rastin t’i shpreh mirënjohje të madhe aktorëve të teatrit. Edhe ky vit do të jetë sa i përket çmimeve ndërkombëtare. Çmimi Vjetor për Regjinë më të mirë në fushën e Teatrit për vitin 2022 i ndahet Fatos Berisha, me shfaqjen ‘Pornography’”, tha Çeku.
“Çmimi Vjetor për Aktoren/Aktorin më të mirë në fushën e Teatrit për vitin 2022 iu nda Ilire Vinca në shfaqjen ‘Babai dhe babai’. Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore në fushën e Teatrit për vitin 2022 iu nda Muradije Muriqi dhe Mejreme Berisha. Çmimi Vjetor për Shfaqjen më të mirë në fushën e Teatrit për vitin 2022 iu nda Qendrës Multimedia me shfaqjen ‘The Handke Project’. Çmimi Kombëtar për Prezantim të suksesshëm ndërkombëtar në fushën e Teatrit për vitin 2022 e fitoi Teatri i Qytetit në Gjilan”, tha tutje Çeku.