Më 14 qershor 1920, në qytetin e lashtë të Shkodrës, lindi etnomuzikologu, kompozitori dhe studiuesi i mirënjohur, Ramadan Sokoli. Arsimin bazë e kreu në vendlindje, ku që në moshë të hershme filloi të spikaste në fushën e kompozicionit, duke u veçuar ndër muzikantët e kohës.
Protesta ndaj fashizmit i kushtoi lirinë, pasi qëndrimi i tij armiqësor ndaj pushtuesve do të sillte dënimin me internim në Itali. Megjithatë, muzika mbeti oazi i tij edhe në dhe të huaj.
I vendosur në Firence, Sokoli kreu studimet në Konservatorin “Luigi Cherubini” me rezultate të shkëlqyera. Pas ikjes së forcave fashiste më 1944, ai u kthye në vendlindje dhe u bë pjesë e strukturave të Legalitetit. Pas arrestimit për shkak të lëvizjeve antiqeveritare pas Kryengritjes së Postribës, Sokoli vijoi aktivitetin muzikor duke u bërë pjesë e organizimeve të ndryshme, nga Ansambli i Ushtrisë deri në Korin e Filarmonisë.
Ai kontribuoi në Festivale të Këngës dhe Valles Popullore, por biografia e tij e “njollosur” shpesh e pengoi në karrierë. Punimet e tij mbetën burim frymëzimi për brezat e rinj të artistëve, duke e bërë një figurë të paharruar në kulturën muzikore shqiptare.
Me rastin e 104-vjetorit të lindjes së tij, Universiteti i Arteve promovoi disa vepra të rëndësishme të muzikologut të shquar: një album pianistik për piano me katër duar dhe një përmbledhje veprash për flaut, instrument të cilin e kishte studiuar në Itali. Aktiviteti u shoqërua nga një performancë muzikore e studentëve të Universitetit të Arteve, duke sjellë në jetë trashëgiminë e çmuar të Ramadan Sokolit dhe duke e ndarë me brezat e rinj të artistëve dhe dashamirësve të muzikës./UBTNews/