Pas vdekjes së legjendës së futbollit, Diego Armando Maradona, policia e Buenos Aires ka nisur hetimet lidhur me trajtimin e Maradonas, që ai mori disa javë para vdekjes.
Maradona ndërroi jetë në moshën 60 vjeçare nga një sulm në zemër, teksa mjeku i tij ka thyer heshtjen, duke thënë se nuk ka diçka për të fshehur dhe se ndjehet krenar për mënyrën se si e ka trajtuar legjendën Maradona.
Mjeku Leopoldo Luque, është bastisur nga policia e Buenos Aires, që kishin shkuar në shtëpinë e tij dhe në klinikën private, ku kanë mbledhur dosje, duke marrë parasysh se prokurorët kanë nisur hetimin lidhur me rrethanat e vdekjes së Maradonës.
Maradona ishte trajtuar në këtë klinikë, pasi kishte pasur një ndërhyrje kirurgjike në tru, e që pas ndërhyrjes u lëshua për t’u trajtuar në shtëpinë e tij.
Doktori që e kishte trajtuar Maradonan, Luque, u ka thënë gazetarëve se ai e ka trajtuar në mënyrën më të mirë të mundshme, siç trajtohet secilin pacient, dhe se ai e ka mbështetjen e ekipit profesional, Shoqatës Argjentinase për Neurokirurgji.
Sipas mjekut argjentinas, Maradona, i cili ishte i varur nga alkooli dhe droga, vet kishte vendosur që të mjekohej në shtëpi pas operacionit.
“Të gjithë ishim grumbulluar për më të mirën për Diegon: mjekët, unë, familja e tij. Asgjë nuk mund të bëhej pa vullnetin e tij. Ne u përpoqëm të bënim një skemë kontrolli për çështjen e barnave që i merrte dhe të kontrollonim konsumimin e alkoolit. Nuk kishte kriter mjekësor (për ta mbajtur Maradonan në spital). Kemi mundur ta dërgonim në një qendër rehabilitimi, por na duhej miratimi i Diegos. Ishte vendimi i tij”, ka thënë Leopoldo Luque, citon AS.
Sipas doktorit, nuk ka pasur një gabim mjekësor, ai kishte probleme me zemër që mund t’i ndodhë çdo pacienti që është në moshën e tij, ndaj edhe në bazë të asaj që e thotë doktori Luque, ai e kishte miratimin e plotë të Shoqatës Argjentinase të Neurokirurgjisë për të bërë një operacion, i cili sipas tij ishte i nevojshëm.
Ndërkaq avokati i legjendës së futbollit botërorë, Matias Morla, ka kërkuar që të bëhet një hetim lidhur me vdekjen e legjendës argjentinase, duke e cilësuar “krim të pashpjegueshëm dhe idiot”. Sipas avokatit, është e pashpjegueshme që për 12 orë, Maradona nuk ka pasur kujdes ose kontroll nga personeli mjekësor. Ai ka gjykuar gjithashtu formën se si u vonua ambulanca për gjysmë ore, që sipas tij ky fakt nuk do të kalojë pa u vërejtur dhe pa hetuar./UBTNews