Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Mitrovicë, i dyshuar për përfshirje në organizimin e skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm, pas një pune intensive hetimore lidhur me rastin.
Gjatë operacionit, hetuesit policorë kanë kontrolluar dy lokacione në pronësi të të dyshuarit, ku kanë gjetur dhe konfiskuar prova të shumta materiale. Mes sendeve të sekuestruara janë mbi 41 mijë euro, 20 franga zvicerane, një veturë, një laptop, dy telefona, USB, 10 vula të ndryshme, si dhe 49 kartela gërvishtëse e dëshmi të tjera relevante.
Pas intervistimit nga organet e rendit, me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit po vazhdojnë. /E.A/
