UBT News

Mitrovica ndalet në gjysmëfinalen e raundit të dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve

Kampionia e Kosovës në futboll për femra, Mitrovica, është eliminuar në gjysmëfinalen e raundit të dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve, pasi u mposht me rezultat të thellë 5:0 nga kampionia e Norvegjisë, Brann.

Takimi u zhvillua të mërkurën në Budapest të Hungarisë, ku skuadra norvegjeze konfirmoi statusin e favoritit me një paraqitje dominuese. Brann kaloi në epërsi që në minutën e gjashtë, ndërsa dyfishoi rezultatin në minutën e 13-të. Deri në përfundim të pjesës së parë, norvegjezet realizuan edhe dy gola të tjerë, duke e mbyllur praktikisht çështjen e fituesit.

Me këtë fitore, Brann siguroi kualifikimin në finalen e mini-turneut të raundit të dytë kualifikues, ndërsa Mitrovica do të luajë të shtunën ndeshjen për vendin e tretë ndaj humbësit të përballjes mes Ferencvaroshit të Hungarisë dhe PAOK-ut të Greqisë.

Për skuadrën kosovare, kjo sfidë ka rëndësi të madhe, pasi një fitore do t’i siguronte vazhdimin e garave evropiane në raundin e parë kualifikues të UEFA Europa Cup për femra, niveli i dytë kontinental për klube. Në rast humbjeje, Mitrovica do ta përfundojë aventurën evropiane për këtë edicion.

Brann konsiderohej kundërshtari më i vështirë i mundshëm në këtë fazë të garës. Kampionia norvegjeze, fituese e dy titujve kombëtarë, e nisi garimin evropian pikërisht nga raundi i dytë, ndërsa Mitrovica kishte kaluar me sukses raundin e parë kualifikues, duke mposhtur fillimisht Zimbru Chisinau të Moldavisë me rezultat 10:0 dhe më pas kampionen e Bullgarisë, Ludogorets, me shifrat 2:0.

Megjithatë, niveli shumë më i lartë i konkurrencës në raundin e dytë u reflektua qartë në ndeshjen ndaj Brannit, që siguroi një fitore bindëse dhe vazhdimin e rrugëtimit drejt fazës së ardhshme.

D.L

Exit mobile version