Pas përfundimit të Lojërave Olimpike “Paris 2024”, Franca po bën bilancin e këtij eventi të madh, jo vetëm nga pikëpamja sportive dhe organizative, por edhe nga ajo ekonomike. Dy ditë pas ceremonisë së mbylljes, ku stafetat iu dorëzuan Los Anxhelosit, që do të presë edicionin e 2028-ës, kanë filluar llogaritjet për të kuptuar koston reale të Lojërave Olimpike në kryeqytetin francez dhe balancën mes të ardhurave dhe shpenzimeve.
Në këto raste, siç ndodh shpesh, pikëpamjet janë kontradiktore.
Ministrja franceze e dorëhequr e Ekonomisë dhe Turizmit, Olivia Gregoire, në një intervistë për ‘La Tribune’, deklaroi se Olimpiada ishte një “sukses ekonomik dhe turistik” me “përfitime që do të ndihen edhe për një kohë të gjatë pas ngjarjes”. Sipas Bankës së Francës, Lojërat pritet të nxisin një rritje prej 0.25% të PBB-së së vendit.
Ministrja gjithashtu zbuloi se qeveria franceze kishte parashikuar një kosto prej 8.8 miliardë eurosh për Olimpiadën e Paris 2024, një shifër rreth 2.5 miliardë euro më e lartë se vlerësimi fillestar i vitit 2017 prej 6.2 miliardë eurosh. Një pjesë e madhe e kësaj shume pritet të mbulohet nga investimet private.
Megjithatë, disa ekonomistë dhe institucione të pavarura kanë bërë llogaritje të tjera, duke vlerësuar se kostoja e Lojërave Olimpike mund të variojë mes 10 dhe 12 miliardë euro. Kjo për shkak se përveç 8.8 miliardëve të deklaruara, duhet të merren parasysh edhe shpenzimet e paparashikuara, si punimet e bonifikimit të lumit Sena, kostot për sigurinë, dhe shpërblimet për personelin e përfshirë në sektorin e transportit.
Këto shpenzime, të mbuluara nga shteti, duhet t’i shtohen buxhetit të përgjithshëm për të përcaktuar koston reale përfundimtare të Olimpiadës në Paris, duke çuar në rritjen e pjesëmarrjes publike, e cila fillimisht ishte fiksuar në 4.38 miliardë euro.
Çfarë duket e sigurt është se buxheti fillestar do të duhet të rishikohet në rritje, duke reflektuar kështu kostot shtesë të pa parashikuara që kanë shoqëruar organizimin e këtij eventi të madh./UBTNews/