UBT News

Misioni i përbashkët i Evropës me Rusinë për në Mars u pezullua për shkak të luftës

Agjencia Evropiane e Hapësirës thotë se realizimi i misionit të përbashkët me Rusinë në Mars këtë vit është e pamundur, për shkak të sanksioneve të lidhura me luftën në Ukrainë. Agjencia tha pas një takimi të zyrtarëve nga 22 shtetet e saj anëtare se është duke vlerësuar pasojat e sanksioneve për bashkëpunimin e saj me agjencinë hapësinore të Rusisë, Roscosmos.

“Sanksionet dhe konteksti më i gjerë e bëjnë misionin në vitin 2022 të pamundur”, tha agjencia në një deklaratë për misionin e roverit Euro-Rusi ExoMars.

Misioni tashmë ishte shtyrë nga viti 2020 për shkak të shpërthimit të koronavirusit dhe problemeve teknike. Nisja do të realizohej nga porti kozmik Baikonur në Kazakistan në shtator duke përdorur raketën ruse Proton. Qëllimi i misionit është të vendoset roveri i parë evropian në planetin e kuq për të ndihmuar në përcaktimin nëse ka pasur ndonjëherë jetë në Mars. Një rover testues i nisur në vitin 2016 u ul në Mars, duke theksuar vështirësinë e vendosjes së një anije kozmike në planet.

Të shtunën, Roscosmos tha se po tërhiqte personelin e tij nga porti hapësinor evropian në Kourou, Guiana Franceze. Nga atje janë lëshuar disa satelitë evropianë me raketa ruse, dhe të tjerë janë planifikuar gjatë vitit të ardhshëm.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha në fillim të këtij muaji se Evropa ka nevojë për një politikë më të guximshme hapësinore, duke argumentuar se sovraniteti i saj është në rrezik nëse bie prapa fuqive rivale në një fushë kyçe për teknologjinë, shkencën dhe konkurrencën ushtarake. Ndërsa Evropa ka raketat e veta për të vendosur satelitët në orbitë, ajo mbështetet te partnerët rusë dhe amerikanë për të dërguar astronautë në hapësirë.

Kreu i operacioneve hapësinore të NASA-s tha të hënën se agjencia po operon Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës me mbështetjen dhe kontributin rus, si zakonisht. Ekipet e kontrollit të fluturimit ende po komunikojnë, stërviten, punojnë së bashku, tha Kathy Lueders që momentalish udhëheq programin e fluturimeve njerëzore të NASA-s në hapësirë si Administrator i Asociuar i Drejtorisë së Misionit të Eksplorimit dhe Operacioneve Njerëzore (HEO).

“Natyrisht, ne e kuptojmë situatën globale, ku është, por si një ekip i përbashkët, këto ekipe po veprojnë së bashku”, tha ajo.

ShBA dhe Rusia janë operatorët kryesorë të stacionit hapësinor, i cili është një partneritet i pesë agjencive hapësinore. Katër amerikanë, dy rusë dhe një gjerman ndodhen aktualisht në stacion.

“Ne kemi operuar në situata të tilla më parë dhe të dyja palët kanë vepruar gjithmonë shumë profesionalisht”, tha Lueders.

Astronauti i NASA-s, Mark Vande Hei është planifikuar të kthehet në Tokë në fund të marsit me dy rusë në një kapsulë Soyuz dhe Lueders tha se është ende në rrugën e duhur. Kapsulat ruse ishin e vetmja mënyrë për dhe nga hapësira pasi anijet e NASA-s u tërhoqën në vitin 2011 dhe deri në fluturimin e parë të ekuipazhit të SpaceX në 2020./UBTNews/

Exit mobile version