Pas një pritjeje të jashtëzakonshme në Tiranë, vepra “Misa de Buenos Aires” (Misatango) nga kompozitori argjentinas Martín Palmeri është sjellë edhe para publikut në Prishtinë, ku u mirëprit me duartrokitje dhe entuziazëm të madh.
Ky produksion i veçantë artistik erdhi si rezultat i bashkëpunimit mes Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit të Shqipërisë dhe Filharmonisë së Kosovës, duke dëshmuar edhe një herë fuqinë e bashkimit të institucioneve kulturore shqiptare.
Në skenë u paraqitën Orkestra e TKOBAP-së dhe Kori i Filharmonisë së Kosovës, i përgatitur nga Hajrullah Syla, nën dirigjimin e maestros Sergio Alapont. Interpretimit i dha një dimension të veçantë edhe mexosopranoja Vikena Kamenica, e cila solli një performancë të ndjerë dhe plot emocion.
“Misatango”, e njohur për ndërthurjen unike të muzikës liturgjike me ritmet e tangos argjentinase, arriti të krijojë një atmosferë të fuqishme artistike, duke e mbajtur publikun të angazhuar gjatë gjithë mbrëmjes.
Ky projekt shënon një tjetër hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit kulturor ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, duke dëshmuar potencialin e përbashkët për realizime artistike të standardeve të larta ndërkombëtare.
