UBT News

Mirlind Daku prezantohet te Spartaku i Moskës: “Do të jap gjithçka për t’i bërë tifozët të lumtur”

Sulmuesi kosovar Mirlind Daku ka dhënë një intervistë të gjatë për faqen zyrtare të Spartak Moskës, pas prezantimit të tij si përforcimi më i ri i klubit rus.

Në intervistën e publikuar nga Spartaku, Daku foli për pritshmëritë e tij te skuadra e re, objektivat personale dhe mesazhin që ka për tifozët e klubit.

I pyetur se çfarë do t’u thoshte mbështetësve të Spartakut, sulmuesi kosovar kërkoi nga ta që ta vlerësojnë për atë që do të tregojë në fushë me fanellën e re.

“Do të kërkoja të mos më gjykojnë për atë se si kam qenë te Rubin. E kuptoj që ndoshta jam dukur shumë arrogant dhe agresiv. Por më besoni, që nga minuta e parë te Spartaku do të jap gjithçka që kam për t’ju bërë të lumtur, për të festuar fitoret me ekipin dhe për të mos u shqetësuar për asgjë tjetër”, ka thënë Daku.

Transferimi i tij te Spartaku ka hasur edhe në kundërshtime nga një pjesë e tifozëve të klubit, të cilët njihen për qëndrimet e tyre proserbe. Megjithatë, Daku ka theksuar se kalimi nga Rubin Kazani te Spartaku përbën një hap të madh në karrierën e tij dhe se zgjedhja për t’iu bashkuar këtij klubi ishte e lehtë.

Sipas tij, në Rusi ka dashur të luajë vetëm për Spartakun, të cilin e konsideron si një nga klubet më të mëdha të vendit. Sulmuesi kosovar ka thënë se është impresionuar nga madhësia, historia dhe ambiciet e klubit.

Objektivi i Dakut me skuadrën e re është i qartë: rikthimi i titullit kampion në Moskë pas një periudhe të gjatë pritjeje.

“Kam ardhur këtu për të fituar trofe dhe për t’i bërë njerëzit të lumtur. Klubi dhe tifozët i meritojnë titujt. Jam i gatshëm të jap gjithçka për këtë”, është shprehur ai.

Daku pret gjithashtu që stili më ofensiv i Spartakut t’i krijojë më shumë mundësi për të shënuar. Ndryshe nga Rubin Kazani, që shpesh është fokusuar në një qasje më defensive, Spartaku karakterizohet nga një lojë më sulmuese, gjë që sulmuesi kosovar beson se do ta ndihmojë të rrisë numrin e golave.

D.L

Exit mobile version