UBT News

Mirlind Daku golashënuesi më i mirë në futbollin kosovar që nga paslufta

Mirlind Daku, futbollisti gjilanas ka hyrë në historinë e futbollit kosovar, duke e thyer rekordin e lojtarit Oto John në sezonin 2016/2017, prej 27 golave të shënuara brenda një sezoni që nga paslufta.

28 gola i mjaftonin që ta thyente këtë rekord, por ai nuk u ndal dhe në sezonin 2020/2021 shënoi plot 31 gola duke u bërë kështu golashënuesi më i mirë në futbollin kosovar.

23-vjeçari edhe pse i ri në moshë, e përmbushi njërin nga shumë synimet e tij. Gjithçka në rrugëtimin e tij sa të mirë po aq të vështirë filloi sa ishte pjesë e ekipit të Hajvalisë në sezonin 2016/2017, ku debutoi si 18-vjeçar.

Sulmuesi shtatëlartë ra në syrin e ekipit llapjan ku arriti ta thyejë portën e paprekur të tyre pas plot shtatë ndeshjeve, në minutat e fundit të ndeshjes së tetë të KF Llapit, Daku i Hajvalisë shënoi duke e prishur atë ecuri. Kështu duke e parë veçantinë dhe kapacitetin se sa mund të bënte ai u transferua në ekipin e KF Llapit duke u bërë sulmuesi kryesor i skuadrës.

Në sezonin 2017/2018 ai kishte shënuar 17 gola po aq sa kishte edhe një sulmues tjetër i superligës, Oto John.

“Përveç dekurajuese barazimi me gola me Oto John ka qenë shumë inkurajuese sepse vazhdova të punojë edhe më fort që një ditë të arrijë lart, aty ku dua unë”, tha ai.

Pas kësaj, ekipi kroat Osijek ishte radari tjetër i sulmuesit ku u transferua në verën e vitit 2018. Vështirësia e ambientimit aty bëri që të huazohej te ekipi shqiptar, Kukësi, e më pas erdhi po prapë në formë huazimi te KF Ballkani ku shkëlqeu pas shumë vështirësive.

“Frymëzimi kryesor ka qenë familja dhe shoqëria që kishin besim të plotë në mua pas asaj periudhe jo të mirë. U ktheva në superligën e Kosovës dhe i bëra këto arritjet personale që është ndjenjë e papërshkrueshme për mua, ndoshta edhe që erdhi pas kohës së vështirë nëpër të cilën kalova. Është krenari të hysh në historinë e futbollit të vendlindjes tënde, po ashtu është diçka që secili do e dëshironte”, shtoi ai.

Synimet e Dakut nuk ndalen me kaq, ai pret që karrierën ta vazhdojë jashtë Kosovës, në Evropë. Së pari do të shoh planet me ekipin e Osijekut pasi që ka kontratë aty, nëse përshtatet do të mbetet pjesë e ekipit kroat, e nëse jo do e shohim në ndonjë ekip tjetër evropian.

Për fund ai dha një mesazh për të gjithë ata që duan ta ndjekin rrugën e tij.

“Mos u dorëzoni asnjëherë, ndjekni ëndrrën tuaj, besoni në veten tuaj në mënyrën më të mirë të mundshme sepse një ditë do të arrini aty ku ju gjithmonë dëshironit”, përfundoi ai./UBTNews

(Alketë Zejnullahu, studente në Media dhe Komunikim në UBT)

Exit mobile version